Infrastrukturë
Asfaltohet rruga që lidhë Pagarushën dhe Gurishtën
Pagarusha dhe Gurishta, janë dy fshatra në Komunën e Malishevës të cilat gjenden shumë afër njëra-tjetrës, por për shkak të rrugës së pa hapur, banorët e këtyre dy fshatrave është dashur të bëjnë disa kilometra rrugë, për të shkuar nga fshati në fshat.
Por këtij problemi i ka ardhur fundi, pasi rruga që lidh dy fshatrat, ka filluar të asfaltohet, shkruan InfoKomuna.
Për këtë qëllim, këto fshatra i kanë vizituar edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina.
Begaj dhe Morina, krahas inspektimit të rrugës, i kanë takuar edhe banorët e këtyre dy fshatrave, të cilët e kanë falënderuar Komunën e Malishevës dhe kryetarin Begaj, për realizimin e kërkesës së tyre, disavjeçare, për hapjen dhe rregullimin e kësaj rruge, e cila ka rëndësi të madhe jo vetëm për këto dy fshatra, por edhe për fshatrat tjerë.
“Rritja e mirëqenies sociale dhe krijimi i kushteve më të mira për jetesë, përfshi edhe qarkullimin apo lëvizjen e lehtë, për qytetarët e Komunës së Malishevës, është obligim i yni dhe gradualisht kemi arritur që të realizojmë këtë, e në mesin e këtyre angazhimeve tona, është edhe rruga që sot po e asfaltojmë dhe e cila është tërësisht në shërbim të qytetarëve”, tha Begaj, gjatë vizitës në Pagarushë e Gurishtë.
Drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, tha se “kjo rrugë është munduar nga buxheti komunal i Malishevës dhe ka qenë kërkesë e kamotshme dhe për këtë qëllim, Komuna e Malishevës, pasi e ka futur në listën e investimeve për këtë vit, kemi filluar me hapjen dhe zgjerimin e rrugës, krijimin e bazës së qëndrueshme dhe tani jemi duke e asfaltuar rrugën që lidhë këto dy fshatra të Komunës së Malishevës”.