Aktuale
Asfaltimi i rrugës Deçan-Plavë s’bëhet pa miratim të Manastirit, Ramosaj i bindur se kryhet në afat

Pa dhënë pëlqim Kisha Ortodokse Serbe, nuk mund të vazhdojnë punimet për asfaltimin e rrugës Deçan – Plavë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, i cili përbëhet Ministria e Mjedisit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministria e Kulturës, Misioni i OSBE-së, dhe Kisha Ortodokse Serbe, raporton KTV.
“Këshilli i ka mbajtur takimet e rregullta dhe kjo temë është diskutuar mes anëtareve. Në njërin prej takimeve është ftuar edhe ministri i infrastrukturës, i cili është dakorduar që pa e marrë pëlqimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të këshillit, nuk do të vazhdojë punimet në zonë të veçantë, pavarësisht se rruga është edhe në favor të Kishës sepse përmirëson kushtet infrastrukturore”, ka thënë Leutrim Sahiri, Këshilltar politik në MMPH.
Sahiti ka thënë se javën që vjen do të mbahet takimi i radhës, ku njëra prej pikave të diskutimit do të jetë edhe kjo çështje.
Por, edhe përkundër kësaj, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është i bindur që asfaltimi i rrugës për në Plavë do të përfundojë deri në vitin 2019.
Ramosaj ka thënë se nuk ka ende ndonjë pajtim me Këshillin por që shpreson se ata do të kuptojnë rëndësinë e kësaj rruge, pasi është në interes të të gjitha palëve.
Për shkak të kushteve atmosferike, punimet do të vazhdojnë në pranverë të vitit të ardhshëm.
Rruga 28-kilometërshe Deçan – Plavë, ka filluar së ndërtuari në maj të këtij viti.
