Aktuale
As pas 9 muajve nuk nisin punimet për ndërtimin e stadiumit në Ferizaj

Në prill të vitit 2017, Komuna e Ferizajt dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit patën nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e stadiumit të qytetit në vlerë rreth 10 milionë euro.
Në bazë të kësaj marrëveshje ishte paraparë që ky projekt të filloj së realizuari brenda vitit 2017. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite punimet për ndërtimin e stadiumit nuk kanë filluar për shkak të problemeve me tenderin për ndërtimin e këtij stadiumi.
Shefi i Zyrës së Prokurimit në Ferizaj, Feim Ibrahimi, po thotë se kjo lëndë ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për shkak të ankesave të shumta nga operatorët ekonomik.
“Ne atë marrëveshje e kemi zbatuar dhe i kemi iniciuar procedurat e prokurimit, ku ne para vitit të ri e kemi pasur vlerësimin e këtij tenderi dhe e kemi përzgjedhur operatorin fitues me çmim më të ultë, mirëpo gjatë kësaj kohe duke u zbatuar procedurat ankimore të ligjit të prokurimit publik kemi pasur ankesa nga operatorët ekonomik meqenëse ishin 15 operatorë të interesuar për këtë projekt dhe kemi pasur ankesa në autoritetin kontraktues gjegjësisht në Zyrën e Prokurimit, ne gjatë afatit ligjor kemi vlerësuar dhe i kemi shqyrtuar ankesat e operatorëve ankues dhe përsëri është zbatuar ligji i prokurimit publik për t’u ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe siç na ka njoftuar OSHP-ja janë katër operatorë që kanë bërë ankesë dhe lënda është atje tani në OSHP derisa të vendos paneli”, tha Ibrahimi.
Ndërsa, menaxheri i stadiumit të futbollit sintetik dhe me bar artificial në Ferizaj Ahmet Sylejmani, tha se ndërtimi i stadiumit është shumë i nevojshëm për sportin ferizajas.
“Është nevojë imediate dhe nevojë qytetare që qyteti i jonë i cili ka mbi 100 mijë banorë ka nevojë për këtë stadium, ka sportistë dhe sportiste që kanë nevojë dhe sa më shpejt të jetë e mundshme që Ministria e Kulturës që sigurisht me planin financiar e kanë aprovuar më herët dhe kjo sigurisht duhet me u realizu sa më shpejt për arsye se rregullat e FIFA-së dhe UEFA-së nuk do të na lejojnë nëse nuk i kemi 3 mijë ulëse dhe një stadium të tillë për me i zhvillu garat në nivel republikan, a qyteti i Ferizajt ka nevojë, deri në vitin 2018 kjo duhet të bëhet për arsye se nuk mundemi me e zhvillu kampionatin e superligës së futbollit të Kosovës”,tha Sylejmani.
Aktualisht në qytetin e Ferizajt janë dy stadiume, por që të dy nuk i plotësojnë kriteret e UEFA-së dhe FIFA-së, shkruat tvtema.
Ndërsa stadiumi i ri i cili pritet të ndërtohet afër palestrës “Bill Clinton” është paraparë të jetë sipas këtyre standardeve. Sa i përket anës financiare, është ministria ajo që do të investojë 8 milionë e 30 mijë euro, ndërsa Komuna e Ferizajt është e obliguar që të investojë 1 milion e 300 mijë euro deri në përfundimin e projektit që në bazë të kontratës është paraparë të jetë 3 vjeçar.
