Aktuale
As në vitin 2018 nuk u ndërtua objekti i FSHMN-së, studentët mësojnë në bodrumet e Filologjikut

Ka disa vjet që studentët e Fakultetit të Shkencave Matematikore dhe Natyrore, mësimin e zhvillojnë në bodrumet e Fakultetit të Filologjisë, raporton KTV.
E studentët disa herë edhe kanë protestuar duke kërkuar zgjidhje për problemin e tyre.
Shumë herë iu premtua atyre që objekti i këtij Fakulteti do të ndërtohet shumë shpejt, por edhe në vitin 2018 nuk u realizua asgjë.
I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u ishte përgjigjur thirrjeve të protestuesve lidhur me mosndërtimin e objektit të FSHMN-së, duke u premtuar atyre zgjidhje.
Ahmeti para studentëve pati thënë se ai ka tentuar që të zgjidhë këtë problem në takimet me të gjithë rektorët, si dhe ka propozuar që FSHMN-ja të ndërtohet afër Fakultetit Teknik, aty ku është paraparë të ndërtohet Pallati i Operës. Ai i kishte dërguar edhe një shkresë dekanit të FSHMN-së.
Dekani i FSHMN-së thotë se dokumenti që Shpend Ahmeti u kishte ofruar atyre ishte pa asnjë nënshkrim.
Studentët e këtij fakulteti thonë se e kanë shumë të vështirë mbajtjen e mësimit në këto kushte. Madje, në fotografitë e dërguara nga studentët, shihet se mungon edhe ndriçimi.
Përfaqësuesja e këshillit studentor në këtë fakultete, Dafina Sylaj, paralajmëron bojkot të mësimit në semestrin tjetër nëse nuk merret asnjë masë.
KTV-ja ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës në lidhje me ndërtimin e objektit të FSHMN-së por ata nuk kanë qenë të qasshëm për televizionin.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Lexo edhe:
