Aktuale
Artisti shqiptar që ka skalitur stolinë më të bukur në Milano
Pak njerëz e njohin në Shqipëri Andrea Aleksin. Në shtypin tonë kombëtar është folur pak ose aspak për këtë artist të madh të Rilindjes Europiane.
Vetëm “Hylli i Dritës” në numrin e vet të dhjetorit 1921, faqe 342, flet shkurtazi dhe ia bën të ditur lexuesit shqiptar emrin dhe një pjesë të veprës së këtij artisti të racës sonë. Mbi jetën dhe veprat e Andrea Aleksit kanë shkruar më shumë të huajt e në mënyrë të veçantë, sllavët, të cilët e konsideronin si një artist të tyre të madh të Rilindjes.
Të dhëna të hollësishme mbi jetën dhe veprimtarinë e tij jep studiuesi Lazer Radi. Sipas të dhënave që ai dispononte Andrea u largua shumë i vogël nga Shqipëria dhe shkoi në Itali për të studiuar. Duhet të ketë qenë shumë i varfër dhe e mori nën kujdesin e tij për ta rritur e shkolluar një filantrop i madh i asaj kohe, pikërisht duka Françesk Sforza. Ky bujar nuk e ndau Andrean e vogël nga fëmijët e vet dhe duke parë prirjet dhe zgjuarsinë e tij, u kujdes dhe u interesua në mënyrë të veçantë për ta drejtuar në mësimin e shkencave dhe të arteve të bukura.
Andrea Aleksi u tregua një nxënës shumë i zellshëm dhe me prirje të mëdha artistike. Këto prirje Aleksi erdhi duke i përsosur deri në at’ shkallë sa të fitojë një emër të madh për kohën e vet. Si në art ashtu edhe në drejtime të tjera Andrea Aleksi u dallua në mënyrë të veçantë për punimet dhe veprat e veta pati një nderim dhe çmim të posaçëm në kohën e tij.
Në Duomon e Milanos, vizituesi ndër sende të tjera mund të shikojë edhe një letër shumë të bukur kushtuar Zonjës së Ilirëve, të cilën milanezët e quajnë “Altare Albanese”.
Në dy anët e këtij altari gjenden dy nënshkrime prej të cilave merret vesh se ky altar i bukur është bërë prej një farë Alexis de la Tarchetta de Albania capitaneo de la corte de barengo. Ky altar, gjithnjë simbas nënshkrimeve, u përfundua më 14 gusht 1480.
“Altare Albanese” është i lartë 4 metra dhe i gjerë 2 metra e gjysëm; është i punuar me një lloj mermeri të quajtur “Nero del Belgio”. Altari ka tri kupola dhe secila prej këtyre kupolave ka nga një shtatore: në të djathtë është truproja e quajtur Gjon Pagëzuesi, në mes truproja e një shenjtoreje që mban në dorë një pendë e një tub letrash. Altari është punuar prej mermeri të quajtur “Nero del Belgio”, kurse tre shtatoret janë të punuara prej mermeri “Carrara”.
Altari i Zonjës së Ilirëve, vepër e skulptorit shqiptar Andrea Aleksi prej Durrësit, është pa dyshim një ndër punimet e tij më të mira. Altari stolisur me kapitela të shumta e të bukura. Në dy anët e këtij altari gjendet ky nënshkrim:
Sa më shumë mendoj në ato mirësira të mëdha
Që mua më ke bërë o Virgjëreshë e shenjtë dhe e kulluar
Në madhështi e ndere e gjithë ofiqet
Kaq shumë tepër jam i detyruar në pamja jote
Se nga Shqipëria erdha vocërrak
Morra këtë zotërinë tim tepër të madhërishëm
Dukën Françesko Sforca, unë i varfëri
Më rriti në fillim dhe prej tij u lavdërova
Për shërbimin tim të shquar në çdo drejtim
Dhe prej andej e bijtë e tij gjithmonë i nderuar
Unë kam qënë për të madhin fatin tim
Më shumë se meritat e fuqitë e mija
Për të cilat dhunti unë me kurajo besnike,
O Virgjëreshë e bekuar, akoma të lutem,
Kur do të zgjohem me kalimin e kësaj jete,
Shpirti im të mos mohohet
Për të cilin qëllim kam zbukurua këtë vend
Me imazhin tuaj unë mbetem i pandarë
Aleksi gjithmonë debitor, veç mos qoftë pak
Andrea Aleksi, shqiptar prej origjine, ishte i famshëm jo vetëm në Itali, por në të gjitha vendet rreth detit Adriatik. Veprat e këtij artisti të madh janë parë në vende të ndryshme të Dalmacisë dhe pikërisht në Venedik, ishullin Rab, Zander, Llubonik, Troginë, Split, Jakinë dhe në Trenite. Mund të zbulohen edhe vende të tjera ndër të cilat Andrea Aleksi ka derdhur veprat e veta, prej artisti të talentuar.
Ka punuar shumë duke filluar qysh në hyrje të shekullit XVI kur vdiq në Split. Në Kishën e Shpirtit të Shenjtë të këtij qyteti i ruhet edhe sot pllaka e varrit, të cilën e ka përgatitur dhe vendosur për vete qysh në vitin 1503.
Veprat më të vleshme të Aleksit ruhen në qytetin e Rilindjes, Trogir (Tran), qytet i vogël, por shumë i bukur në bregdetin dalmat. Ky qytet është një muzeum i vërtetë artistësh. Këtu Andrea Aleksi, shkriu të gjithë fuqinë e zotësisë së vet. Do të mjaftonin veprat e tij të Trogirit, për t’u ngrit në shkallën e një artisti me vlerë të madhe. Mendohet se në Trogir ai mund të ketë arritur në vitin 1466. Aty punoi Batisterin dhe Pagëzimoren në katedralen e Trogirit. Veprën e tij e përmendin dhe aktet e arkivës së Trogirit.
(marrë nga gazeta “Bashkimi i Kombit”, 1944)
You must be logged in to post a comment Login