Aktuale
Artistët mohojnë arritjen e një marrëveshjeje me Veliajn për Teatrin Kombëtar

Artistët të cilët prej disa muajsh kanë shprehur haptazi kundërshtimin e tyre ndaj planeve të qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe dhënien e territorit me koncension te kjo kompani në këmbim të ndërtimit të një godine të re, i thanë BIRN se asnjë marrëveshje nuk është arritur me bashkinë e Tiranës për teatrin.
“Nuk është vendosur asgjë. Thjesht u takuam me kryebashkiakun dhe i folëm për kushtet tona të moscënimit të territorit të teatrit, konkursin ndërkombëtar të projektit dhe projektligjin,” tha për BIRN aktori Arben Derhemi, i cili ishte pjesë e takimit.
“Ai na siguroi që nuk do të prekej territori i Teatrit dhe se do ta përfshinte këtë në projektligj,” shtoi Derhemi, duke theksuar sërish se nuk ka marrëveshje.
Më herët të mërkurën, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj lajmëroi se më në fund ishte arritur një marrëveshje me artistët dhe se do të niseshin negociatat për një teatër të ri kombëtar.
“Kur ka vullnet, ka rrugëzgjidhje! Mirënjohje nga zemra aktorëve, regjisorëve, arkitektëve, inxhinierëve e sidomos sindikatave e protestuesve! Falë kontributit të secilit kemi një marrëveshje më të mirë dhe jemi sot gati të nisim negociatat për një Teatër të ri Kombëtar!,” shkroi Veliaj në profilin e tij në Facebook.
Sipas një deklarate për shtyp të nxjerrë nga Drejtoria e Informacionit të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku Veliaj në një takim me aktorët të mërkurën ka arritur një marrëveshje për të ndërtuar një teatër të ri, duke ruajtur territorin aktual të teatrit dhe pa kullë. Ndërtimi nga një firmë private vazhdon të jetë në lojë.
“…Prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit…,” mësohet të ketë thënë Veliaj, duke njoftuar çuarjen përpara të projektligjit të kundërshtuar që ia jep pa garë tenderin kompanisë Fusha shpk.
Sipas lajmërimit të Bashkisë pritet që faza e ardhshme do të jetë negocimi i projektit me kompaninë fituese të partneritetit-publik-privat me përfaqësi edhe të artistëve.
BIRN nuk arriti të lidhej me regjisorin Altin Basha, i cili ishte një nga tre artistët që u takuan me kryebashkiakun Veliaj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grupim i qytetarëve dhe artistëve që po protestojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar reagoi gjithashtu pas deklaratës së Veliaj duke hedhur poshtë pretendimet e kryebashkiakut për një kompromis.
“Nuk ka asnjë kompromis dhe marrëveshje me asnjë përfaqësues qeveritar pa u tërhequr ligji i veçantë nëpërmjet të cilit kërkohet të kryhet ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar. …Shteti dhe shoqëria shqiptare nuk kanë nevojë për artifica të tilla ligjore. Ato krijohen vetëm për të mbrojtur me ligj autorët e grabitjes së pronës publike,” thuhej në deklaratë.
Aleanca gjithashtu theksoi se kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj nuk ka asnjë status për kryerjen e negociatave apo dëgjesave publike.
“Përfshirja e z. Veliaj jo vetëm që është personale dhe informale, por është në kundërshtim të frymës së procedurave ligjore aktuale dhe parimit të ndarjes së pushteteve. Z. Veliaj është i mirëpritur të japë mendime personale, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë, por asgjë më shumë se kaq,” u shprehën ata, duke kujtuar se teatri është në përgjegjësi të Ministrisë së Kulturës.
Aleanca përsëriti qëndrimin se qeveria duhet të tërheqë draftin e ligjit të veçantë dhe të fusë procesin në kuadrin e rregullt ligjor.
Dy ditë më parë, artistët dhe qytetarët në mbrojtje të teatrit denoncuan si farsë dëgjesat e bashkisë me arkitektët, urbanistët dhe artistët dhe kërkuan negociata me kreun e qeverisë Rama, duke hedhur poshtë veprimet e kryebashkiakut Veliaj si një autoritet i paautorizuar nga ligji për t’u marrë me teatrin. (reporter.al)
