Aktuale
Artistët mblidhen nesër në koncertin kundër HEC-eve në Lumin e Vjosës
Ndërtimi i një objekt biznesit pran Lumit Vjosa alarmoi banorët përreth, meqë sic konsideruan ata ndërtim si ky dëmton lumin.
Pas kësaj, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe ajo e Sipërmarrjes, Sonila Qato morën udhën për në Grykën e Këlcyrës, ku Klosi deklaroi se nuk do lejohet të ketë ndërtime të paligjshme të cilat janë në dëm të interesit dhe pasurisë së mjedisit dhe nuk do të kalojnë në heshtje.
E në mbrojtje të Lumit Vjosa po dalin edhe artistët shqiptar. Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në koncertin sensibilizues.
Koncerti sensibilizues i organizuar me dëshirën e plotë dhe vullnetare të artistëve: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo, Grupi Polifonik Lunxhëria, Blerat & Besfort Këpuska, Dj. ODA, kthehen sërish, fill pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Skënderbej, mbahet nesër më datën 18 tetor pranë Muzeut Historik Kombëtar , ora 19:00 në mbrojtje të Lumit Vjosa.
Me zërin dhe artin e tyre, grupi nismëtar i artistëve për Vjosën vijnë me koncertin “Mos ma prek Vjosën” për të ndërgjegjësuar publikun e gjerë dhe vendim-marrësit mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë natyrore të vendit tonë dhe bëjnë thirrje për mbrojtjen e lumit Vjosa nga planet për ndërtimin e hidrocenteraleve.
“Arti nuk është shpëtimtar i botës, gjithashtu jo domosdoshmërisht mund të përmirësojë mëkatet e vendim-marrësve kundrejt shoqërisë, tokës, natyrës, ujit apo çfarëdo situate të pasigurtë jetësore! Arti, fal vetëm zërin paqësor, për të sensibilizuar, ndërgjegjësuar ndaj pasojave të pariparueshme kolektive, për të cilat gjithkush duhet të luftojë, në momentin dhe kohën e duhur” shprehen artisët në mesazhin e tyre.
Vjosa është një thesar evropian. Vlera e saj më e madhe është integriteti i saj. Digat do të shkatërronin këtë ekosistem unik dhe do të minonin potencialin e tij të madh për zhvillimin e ekoturizmit të qëndrueshëm në rajon. “Ne jemi këtu për të bashkuar njerëzit në kauzën për mbrojtjen e Vjosës dhe ftojmë të gjithë të mblidhemi tok, dhe përtej 1001 halleve që ka shoqëria e vendi ynë ti japim zë kësaj kauze” shtojnë artisët.
Ky koncert vjen në mbështetje të Fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, e cila zbatohet nga EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur.