Featured
Armira, rilindja e pallatit të mermertë romak
Rreth katër kilometra në jugperëndim të qytetit simpatik të Ivajlovgradit (afër kufirit bullgar-grek) ndodhet një prej pikave më unike arkeologjike të Ballkanit. Edhe pse një nga qytetet më të vogla të Bullgarisë me afërsisht 4 mijë banorë e larg syrit të turistëve, aty afër ruhet shkëlqimi romak brenda vilës së mermertë antike, e vetmja e llojit në gadishullin juglindor të Evropës.
Supozohet se vila Armira është ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të parë të kohës sonë, shkruan sot Koha Ditore.
Pallati luksoz që emrin e mori nga lumi Armira (degë e vogël e lumit Arda) është i shtrirë në 3.600 metra katrorë dhe ka 22 dhoma, tarracë panoramike, pishinë dhe kopsht. Sipas legjendës, thuhet se i kishte takuar një fisniku trakas, i cili supozohet të ketë qenë udhëheqës i zonës. Ndonëse qe zbuluar para më shumë se gjysmëshekulli ende ka për të zbuluar mbi të. Kjo, meqë aty nuk u gjetën as data e as emra të shënuar. Për rrjedhojë gjithçka duhet lexuar përmes simboleve, një pjesë e konsiderueshme e të cilave nuk janë “dekoduar” ende.
Në vitin 1964 derisa po ndërtohej një rezervuar (digë) uji në zonën e Ivajlovgradit, punuesit ndeshën në mozaikët shumëngjyrësh dhe muret e kolonat e mermerta të vilës, e cila nga shteti bullgar është futur në mesin e monumenteve të kulturës me rëndësi kombëtare.
Sipas studimeve duket se vila ndër vite kishte ndryshuar disa pronar. Gërmimet e fundit tregojnë se përveç vilës aty afër kishte edhe objekte të tjera, të cilat shërbenin për mbajtjen e bagëtive dhe ruajtjen e mallrave, duke çuar në përfundimin se ky nuk qe vetëm një vendbanim fisnikësh, por edhe një vend prej nga pronarët menaxhonin pronat.