Aktuale
Arkitektura, tashmë Fakultet më vete në Universitetin e Prishtinës
Universiteti i Prishtinës (UP) zyrtarisht nga sot ka një fakultet më shumë. Studentët e arkitekturës në UP tashmë do t’i ndjekin studimet në Fakultetin e Arkitekturës, pasi arkitektura që ishte degë e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, tani është fakultet në vete, shkruan Ndërtimi.info.
Shpallja e Fakultetit të Arkitekturës u bë sot nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, gjatë ceremonisë pritëse të studentëve të rinj të arkitekturës.
Profesoresha e arkitekturës, Florina Jerliu ka treguar për Ndërtimi.info procedurat e themelimit të fakultetit më të ri në UP.
“Procedura formale ka filluar diku në mars – prill të këtij viti. Njëherë e ka kaluar Senatin, që e ka dhënë pëlqimin, pasatja Këshilli, Bodri i Universitetit e jep pëlqimin apo vendimin. Ndërsa, sot e patëm rektorin Marjan Dema, ku në ceremoninë e pranimit të studentëve të rinj dhe më këtë rast shpallin avancimin e Departamentit të Arkitekturës në Fakultet të Arkitekturës”, ka thënë ajo.
Fakulteti i Arkitekturës në krye do të ketë profesorin Fevzi Berisha, i cili është emëruar ushtrues detyre i Dekanit të këtij fakulteti.
“Rektori ka dorëzuar edhe vendimin për caktimin e profesorit Fevzi Berisha si ushtrues detyre të dekanit të Fakultetit të Arkitekturës, deri në zgjedhjen e tij”, ka treguar profesoresha Jerliu.
Pas themelimit të Fakultetit të Arkitekturës, ushtruesi i detyrës së dekanit do të vazhdojnë me emërimin e prodekanit dhe me procedurat e nevojshme për fakultetin.