Arkitekturë
Arkitektja Aslıhan Demirta që po rijetëson Kino Lumbardhin do ligjërojë në Prizren

Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës kanë organizuar një ligjëratë publike të quajtur “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirta, zyra e së cilës është duke punuar në projektin e rijetësimit të Kinemasë Lumbardhi në Prizren, shkruan Ndërtimi.info.
Kjo ligjëratë do të mbahet Kino Lumbardhi, me 16 Shkurt në orën 17:00, dhe do të mbahet në gjuhën angleze ku pas ligjërimit do të ketë një diskutim të hapur.
Në ligjeratën e saj, Aslıhan Demirtaş do të flasë për ri-shfrytëzimin adaptiv nga këndvështrimi i “mbetjeve të kohës”, të përqendruar, por jo të kufizuar në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.
“Struktura urbane është akumulim i mbetjeve të kohës. Të gjitha qytetet kanë histori të shumta që i përkasin perandorive, republikave, gjuhëve, stileve dhe identiteteve. Ato që mbesin dhe përbëjnë një kontekst të vërtetë urban janë mbetjet – ajo që mbetet, nga jeta e kaluar dhe manifestimet e tyre fizike si ndërtesa, rrugë dhe sheshe. Mbetjet qëndrojnë pranë njëra – tjetrës – disa të theksuara, mbizotëruese, të ruajtura mirë dhe të qëndrueshme, ndërkohë që disa janë të prishura, braktisura dhe të shkatërruara, megjithatë ato përbëjnë së bashku atë që është qyteti”, thuhet në përshkrimin e ligjëratës “Bukuria e asaj që mbetet”.
Aslıhan Demirtaş është themeluese e KHORA Office, Aslıhan Demirtaş Architecture & Research Office me seli në Stamboll dhe Nju Jork. Ajo gjithashtu është ligjëruese në Departamentin e Arkitekturës të Fakultetit të Arteve dhe Dizjanit në Universitetin Kadir Has në Stamboll.
Puna e saj është ekspozuar në SALT Galata në Stamboll dhe SALT Ulus në Ankara; collectorspace, Stamboll; Bienalja e 13-të e Sharjah, Stamboll; Galeria Pratt në Manhattan dhe Galeria Aronson në Nju Jork.
Demirtaş mban titullin MS.ArchS nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe BArch nga Middle East Technical University (METU) në Ankara. Ajo është anëtare aktive e Iniciativës për Mbrojtjen e Kopshtit Historik Urban të Yedikules. Zyra e saj së fundmi përfundoi edhe “Kopshtin e Dimrit”, një hapësirë tokësore në SALT Beyoglu në Stamboll. Para themelimit të studiove të saj, Demirtaş punoi për Laureatin e çmimit Pritzker I.M. Pei si projektuese kryesore e Muzeut të Arteve Islame në Doha, Katar si dhe Kishëzës Miho në Japoni.
Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e U.S. Speakers Program për Kosovën, nga Fondacioni Lumbardhi në partneritet me Fondacionin Kosovar të Arkitekturës.
