Aktuale
Arkitektit Maks Velo i jepet çmimi “Mjeshtër në Arkitekturë”

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë (SHASH)ka nisur 2019-ën me dhënien e çmimit “Mjeshtër në Arkitekturë” si pjesë e një serie çmimesh që do të jepen në kuadrin e “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare” (FAMA).
Çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë” SHASH i ka dhënë arkitektit Maks Velo, me të cilin do të takohen me 24 janar në ora 18:00 në sallë e Ekspozitave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Hyrja nga Pedonalja.
Ky çmimi siç bënë të ditur SHASH do t’i kushtohet arkitektëve shqiptarë që kontribuan në gjenezën e Arkitekturës Moderne në Shqipëri
Më poshtë sjellim biografinë për arkitektin Maks Velo.
Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935.
Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektin e parë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës.
Projekte të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim janë:
– Parku i Madh i Liqenit, Tiranë
– shkolla “EminDuraku”, Tiranë
– objekti i banimit pranë Hotel Tiranës
– godina e ish-ATSH, Tiranë
– ish-hotel “Arbana”, Tiranë
– kinemaja e Laprakës, Tiranë
– kinema “Pionieri”, Tiranë
– “UzinaMeknike”, Peshkopi, etj
Vitet ’73 përkojnë edhe me fillimin e një periudhe shumë të vështirë të jetës e tij, pasi gjatë kësaj kohe ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg për tendenca moderne në arkitekturë dhe art, e për rrjedhojë i digjen 250 vepra. Përndjekja dhe dënimi i tij vazhdoi për 18 vjet nga 1973 deri më 1991.
Përveç profesionit të arkitektit, ai krijon dhe kompozon edhe në disa gjini të artit si: pikturë, skulpturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër është në mënyrë konstante mjaft i angazhuar publikisht në çështje të aktualitetit të urbanistikës, arkitekturës dhe angazhimeve të ndryshme intelektuale në të gjithë territorin shqiptar.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura “, “Betonizimi i Demokracisë”, “Jetë paralele” (105 dokumente të sigurimit të shtetit),” Vizatime mbi arkitekturën popullore shqiptare”, “Grafika e Realizmit Socialist në Shqipëri”, “Skulptura e Realizmit Socialist në Shqipëri dhe Skulptura në Europë”, “Nënë Tereza ” (Vizatime), “Paris 1” dhe “Paris 2” (Vizatime dhe poezi), “Tapeti i kuq” (Poezi), “Përkthyesi”, “Pastel”, “Spac”, “Hetimi dhe Klubi Karavasta” etj.
