Aktuale
Arkitekti kosovar i merr syzet Bjarke Ingels-it, detyrohet t’ia kthej pasi dalin e-mailet [foto]
Përgatitjet për Bienalen e Arkitekturës në Venecia po i bënte edhe Kosova. Kuratore ishte arkitektja Eliza Hoxha. Gjithë sytë e arkitektëve kosovarë dhe dashamirëve të arkitekturës e artit ishin atje. Dikush e dikush edhe shkoi që ta vizitonte pavijonin e Kosovës. Por, kujt do t’i shkonte ndërmend se një arkitekt do të bëhej temë pas gjithçkaje. Përfaqësuesi i Asociacionit të Arkitektëve, arkitekti Ideal Vejsa, i kishte marrë syzet e diellit të arkitektit me famë botërore Bjarke Ingels, raporton Ndërtimi.info. Vejsa thotë se ia ka kthyer menjëherë, por ai i ka kthyer syzet pasi që ka ardhur në Kosovë, për këtë mori edhe falenderim nga zyra e BIG.
Uran Haxha
Ndodhi gjithçka dhe ekipi i kosovarëve ishte kthyer nga Venecia. Në anën tjetër Bjarke Ingels, kishte aktivizuar çdo mjet për të gjetur se kush ia ka marrë syzet. Nga ajo që kemi marrë vesh është se syzet i ka dhuratë nga një mik i tij i ngushtë dhe nuk kishte pranuar faktin se thjeshtë i kanë humbur.
Pas një kohe të gjatë ata gjetën se kush ia kishte marrë. Kështu dhe në adresë të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës dhe Fondacionit Kosovar për Arkitekturë mbërriti një email nga Biennalja që kërkon përgjegjësi.
“Kjo është detyrë që si arkitektë të mbrojmë profesionin tonë dhe gjithçka që lidhet me arkitekturën.
Më 24 maj 2018, ne si grup i arkitektëve gjatë vizitës në Bienalen e Venecias ishim dëshmitarë të një akti të shëmtuar të zotit IDEAL VEJSA nga Kosova, i cili gjatë diskutimeve nga z. BJARKE INGELS i vodhi syzet e diellit që i përkisnin z.INGELS. Ky akt i shëmtuar është i turpshëm dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës që të marrin masa ndaj z. VEJSA”, thuhet në e-mail.
Vetëm një fotografi e publikuar në Instagram, kishte bërë që Vejsën ta identifikojnë, por që s’kishin mundur ta gjejnë.
“Neve na mori shumë kohë që të identifikojmë hajnin, por kjo u bë e mundur pasi z. VEJSA postoi në Instagram një fotografi me z. INGELS.Ne e kemi kërkuar z. VEJSA gjithandej nëpër Giardini, por nuk e gjetëm pasi ai me siguri ishte larguar pas këtij akti”, shkruhet në e-mail.
Vejsa ka folur për Ndërtimi.info, ku ka thënë se syzet i janë dorëzuar pronarit, pasi i kishte harruar në tëvolinë, teksa hedh dyshime se e-maili nuk është i vërtetë dhe se dikush po manipulon.
”Syzat janë dorëzuar pas gjetjes te pronari… Mirëpo kolegët tonë me qëllim të keq janë mundu ti japin kahje tjeter”, ka thënë Vejsa për Ndërtimi.info. Ai shton se ka shkuar me vetfinancim, me ftesë që ka pranuar si anëtar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës.
Tash për tash syzet nuk i ka as Bjarke Ingels e as Ideal Vejsa.
Ai na ka dhënë edhe një email nga zyra e BIG, kompania e Bjarke Ingels, ku thuhet se syzet i ka Bjarke dhe se shprehin keqardhje për një ndodhi të tillë me e-mailin akuzues.
Por, këtij debati i jep fund një e-mail që Bjarke Ingels e shkruan dhe thotë se syzat më kanë humbur, apo ndoshta ka qenë edhe aksident. Por, kërkon t’i kthehen pasi i ka dhuratë nga një mik. E çka kërkon ai në fund është që kjo çështje mos të kalojë në dramë, por mundësisht të kthehen syzet.
Përmes kolegësh gazetarë nga Shqipëria, që kanë pasur kontakte me Bjarke Ingels, Ndertimi.info merr vesh se Bjarke Ingels nëpërmes arkitektëve që njeh në Kosovë, ka kërkuar që t’i kthehen syzet, pasi kanë rëndësi të madhe për të. Si rezultat, marrim vesh se Ideal Vejsa ia ka kthyer syzet një kolegu të tij, që t’ia përcjell Bjarke Ingels.
Me pak fjalë Vejsa i ka gjetur syzet pas debatit ku ishte edhe Bjarke Ingels, ai i kishte marrë dhe ia ka kthyer pasi ka plasur skandali me e-maile të publikuara. Për gjetje të syzeve dhe tash rrugës së kthimit, Vejsës i ka shkuar edhe falendërimi nga zyra e Bjarke Ingels./ndertimi.info/