Aktuale
Arkitekti Francisco Fonseca nga “Skrei” ligjëroi para publikut kosovarë

Bashkëthemeluesi i kompanisë portugeze të arkitekturës “Skrei”, Francisco Adao de Fonseca mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ka folur për rëndësinë e përzgjedhjes së materialeve në fushën e arkitekturës dhe implementimin e tyre në vepra arkitektonike.
Fonseca, në kuadër të Festivalit Kosovarë të Arkitekturës, ligjëroi para publikut kosovarë për benefitet e përdorimit të materialeve lehtësisht të lokalizueshme si: drunjtë, gurët, dheu etj., të cilat sipas tij, përpunohen shpejtë dhe sjellin një bashkëpunim interesant në këtë fushë.
Për këto lëndë, me të cilat vet kompania e tij punon, ka thënë se jo domosdoshmërisht duhet të jenë të certifikuara, mjafton të guxosh të eksperimentosh me to.
“Ne jemi një kompani e arkitekturës, ne bëjmë vepra të arkitekturës, është pak problem kur zgjedh të punosh me elemente të cilat nuk janë të certifikuara, por ne e kemi gjetur 2 mënyra për ta bërë këtë gjë: E para; nëse je një kompani e ndërtimit, ti je ajo që udhëheq. Edhe nëse ndërtesa nuk është e certifikuar ti duhet ta bësh punën mirë, të garantosh dhe të japësh përgjegjësi për të dhe e dyta; Ne krijojmë një numër të madh të modeleve si një lloj testimi dhe pastaj i shpërndajmë në workshop-e për të parë se si funksionojnë, për këtë arsye është mirë që çdo herë të bëhet fillimisht një lloj testimi për të kuptuar nëse ideja do të jetë me të vërtetë efektive, ose jo” ka thënë udhëheqësi i Skreit.
Përgjatë fjalimit ai ka treguar se jo çdo herë nevojitet shpenzim i shumave të mëdha të parave për të krijuar kryevepra arti, mjafton të eksplorosh në materialet që gjenden në tokë e që i ofron natyra.
Franciso Adao da Fonseca, ka kujtuar fillimet e tij, në periudhën kur puna nuk i është besuar shumë , por gjithsesi ai së bashku me kolegët kanë insistuar të sjellin diçka inovative, që më pas është vlerësuar edhe është pëlqyer shumë.
“Unë së bashku me një shok timin, vendosëm të koleksionojmë dheun, e vendosnim atë në shumë shishe të plastikës. E bëmë këtë gjë në shumë vende të Portugalisë për javë të tëra edhe pse nuk e dinim saktësisht se çfarë ishim duke bërë, por ishte mahnitës tentimi për ta kuptuar tokën. Kështu vazhduam të eksplorojmë dheun dhe krijuam rreth njëqind shishe të tilla. Ato më pas filluam t’i testojmë të shohim se çfarë mund të bënim me to. Të njëjin eksperiment e bëmë edhe me materiale të tjera, si drunjtë dheu etj., të cilat i përdorim për ndërtimin e shtëpive e që kanë rezultuar tejet të mira”, u shpreh ai.
Skrei është një firmë e pavarur e arkitektëve, inxhinierëve, artistëve dhe specialistëve teknikë që ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh profesionale për mjedisin e ndërtuar. E arkitekti Francisco Adao da Fonseca, përveç themelimit të Skrei Led në vitin 2010, është i njohur edhe për veprimtainë e tij në Holandë, ku është Anëtar i Shoqatës së Arkitektëve dhe për kontributin e dhënë në vendlindjen e tij, në Portugali.
