Aktuale
Arkitekti Arbër Sadiki reagim në mbrojtje të ndërtesës së Radio Kosovës
Shpërfytyrim i ndërtesës ikonike brutaliste po konsiderohet nga arkitekti Arbër Sadiki, nisja e punimeve në ndërtesën e Radio Prishtinës.
Nëpërmjet një reagimi Sadiki thotë se objekti i RTP-së është një ndër objektet identifikuese të Prishtinës, që përveç vlerave arkitekturore ka manifestuar simbolin e fjalës shqipe në ish-Jugosllavi dhe si i tillë duhet të mbrohet.
“Si arkitekt, ligjërues, anëtar i DOCOMOMO Kosova, ICOMOS Kosova, dhe mbi të gjitha si njeri, reagoj për nisjen e punimeve në shpërfytyrimin e ndërtesës së Radio Prishtinës. Kujtoj, se kjo ndërtesë ngërthen në vete vlera të padiskutueshme të arkitekurës brutaliste. E projektuar nga arkitekti i njohur slloven Oton Gaspari (1966) me elegancën e vet është ngulitur thellë në memorien kolektive të qytetarëve dhe si e tillë paraqet një nga objektet identifikuese të Prishtinës. Përveç vlerave arkitekturore, ky objekt me dekada të tëra ka manifestuar simbolin e fjalës shqipe në ish-Jugosllavi, dhe si i tillë paraqet edhe vlerë historike për shoqërinë kosovare”, thekson Sadiki.
Sipas tij, shumë objekte të kësaj kategorie po shpërfytyrohen jo vetëm për shkak të mosnjohjes së vlerave të tyre nga institucionet, por edhe nga pasiviteti i shoqërisë për t’i mbrojtur ato.
“Është për të ardhur keq që objektet e kësaj kategorie në vazhdimësi po shpërfytyrohen jo vetëm si rrjedhojë e mosnjohjes së vlerave të tyre nga ana e institucioneve vendore, por edhe si rrjedhojë e pasivitetit tonë për ti mbrojtur ato”, ka potencuar arkitekti i njohur.
Sadiki thotë se e keqja më e madhe, është se e gjithë kjo bëhet në emër “të së mirës”.
Ai ka kërkuar që shoqëria të fillojë t’i mbrojë vlerat të cilat, sipas tij, na përkasin të gjithëve.
“Rrjedhimisht, kërkoj që të thërrasim ndërgjegjën gjithësecili prej nesh dhe të fillojm të mbrojmë vlerat të cilat na përkasin të gjithëve”, ka deklaruar ai.
Në lidhje me këtë objekt ka reguar edhe aktivisti dhe projektuesi Yll Rugova, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe është e rëndësishme që të mbrohet./Ndërtimi.info/