Arkitekturë
“Arkitektët shkatërruan qytetet tona”
Ka mjaft vende në Tiranë të cilat nuk i vizitoj më, sepse dua t’i ruaj në kujtesë ashtu si ishin në fëmijërinë time, kur shëtisja për dore me babain.
Me këto fjalë e nisi rrëmin për Tiranën si qytetin e tij të shkatërruar shkrimtari dhe gazetari Fatos Lubonja, gjatë forumit për “Të drejtën mbi qytetin” të mbajtur sot në Shkodër nga organizata GO2.
Duke thirrur në ndihmë përvojat e vendeve të tjera të botës për ruajtjen e qendrave të qyteteve, të shkruara me dhembshuri nga emra të njohur, si: Marc Chagall, Pier Paolo Pasolini, Rem Koolhas, Imre Kertész etj., Lubonja solli kujtimet e tij për dimensionin e humbur human të Tiranës, humbje për të cilën ai akuzoi pushtetet. Pushteti e përdor qytetin në shërbim të ideologjisë së vet, – tha ai, – ndërsa qytetarin e kthen në një krijesë të papërgjegjshme dhe të pambrojtur si fëmija. Diktatura e bën njeriun fëmijë, përcjell gazetatema.
Tiranën e vjetër të stilit otoman, pushteti i Zogut e shndërroi në funksion të pretendimeve properëndimore, duke projektuar jo vetëm kompleksin e ministrive, por duke ndërhyrë deri edhe në çatinë e Kullës së Sahatit, forma harkore e së cilës e ndikuar nga arkitektura lindore, u zevëndësua me formë konike për t’i ngjasuar kullave të qyteteve italiane, – tha Lubonja. Për gazetarin Fatos Lubonja, arkitektura fashiste e kompleksit të sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë ishte megjithatë, një ansambël që u ruajt nga diktatura komuniste që sundoi për 50 vjet në Shqipëri.
Duke vazhduar rrëmin për diktaturën, Lubonja tha se bashkë me shembjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës për ndërtimin e Pallatit të Kulturës, u shua përgjithmonë pjesa më vitale e kryeqytetit dhe e memories njerëzore të shumë brezave. Kjo memorie ka vdekur përgjithmonë, e ajo nuk mund të trashëgohet, – tha Fatos Lubonja.
Megjithatë, qëndrimin më kritik gazetari Fatos Lubonja e kishte ndaj qeverive të tranzicionit në Shqipëri, të cilat sipas tij, e rrënuan çdo gjurmë të shtresëzimit historik të qyteteve shqiptare, e sidomos të Tiranës. Për të argumentuar këtë qëndrim, Lubonja solli shumë shembuj, ndër më të fundit edhe shembjen e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, për çka bëri përgjegjës kryeministrin.
Ne nuk kemi ministre kulture, sepse Edi Rama është mbi gjithçka, – tha ai.
Mirëpo sipas Fatos Lubonjës, profesionistët janë përgjegjësit kryesorë të masakrës urbane që vazhdon prej 25 vitesh në Shqipëri. Arkitektët i shkatërruan qytetet tona, – tha ai. Profesionistët dhe ekspertët u shitën te pushteti. Asnjëri prej tyre nuk ka asnjë vepër arkitekture për të cilën krenohet gjatë këtyre 27 viteve të tranzicionit, – theksoi Lubonja. Ata kanë frikë të vënë emrin e tyre.