Arkitekturë
Arkitektët nga Kosova lënë gjurmët e tyre me projektin 21 katësh në Australi
Veprat e arkitektëve nga Kosova dita ditës po zënë vend në shtete të ndryshme të botës dhe të gjitha kontinentet. Shtëpi banimi, komplekse banesore e afariste, hotele e objekte me funksion të ndryshëm po ideon nga arkitektët kosovarë për të qenë vulë e profesionalizimit.
Sëfundmi “Lutolli Architects” me bazë në Prishtinë dhe Këln të Gjermanisë, është ftuar të marrë pjesë në projektimin dhe dizajnimin e objektit 21 katësh, në qendër të Gosford në Australi.
Nga kjo studio projektimi për Ndërtimi.info kanë treguar se objekti përbëhet nga funksione të përziera si qendër tregtare, pishina, zyre dhe 148 apartamente luksoze,- private dhe hotelerike, derisa firma JMGM si iniciues dhe investues i projektit vetëm sa ka lansuar shitjen e njësive.
Për arkitektët nga “Lutolli Architects”, ky projekt konsiderohet sukses i madh, duke marrë parasyshë vlerën e madhe financiare të projektit e para së gjithash, mundësinë e bashkëpunimit dhe projektimit në një vend siç është Australia.
”Ne këtë projekt është filluar të punohet qysh para një viti e gjysmë. Natyrisht një ftesë e tillë ishte një sfidë, duke pasur parasysh normativat Australiane dhe kërkesën e investitorit për shfrytzueshmëri maksimale në njerën anë, dhe gërshetimin e këtyre kërkesave dhe ngërthimi i tyre në konteksin urban dhe arkitektonik australian, në anën tjetër”, ka thënë Blerim Lutolli, përfaqësues i kësaj zyre projektimi.
Ky nuk ka qenë projekti i vetëm i tyre në Australi. Deri tani janë punuar pesë projekte, të cilat janë ende në proces, të cilat kryesisht janë objekte banimi dhe komerciale.
Përndryshe, “Lutolli Architects” në bashkëpunim me “Alfa Product”, me projektine tyre kanë fituar konkursin për tregun e Ulpianës në Prishtinë, i cili pritet të ndërtohet së shpejti.