Arkitekturë
Arkitektët kosovarë me çmim nderi për projektin e kishëzës në Ruandë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/sadiki.jpg)
Arkitektët kosovarë po dëshmojnën punën e mirë, duke arritur të realizojnë projekte në vende të ndryshme, e gjithashtu shumë prej tyre kanë arritur të fitojnë konkurse të ndryshme e çmime të rëndësishme.
Konkursi arkitekturor për një kishëz për komunitetin e Rukomos, në Ruandë, është gara e radhës ku arkitektët shqiptarë shkëlqyen me projektet e tyre.
“Rwanda Chapel”, një garë e organizuar nga YAC, ishte dedikuar komunitetit të Rukomos, me synimin e dhurimit të një kishëze për besimtarëve si donacion, shkruan Ndërtimi.info.
Arbër Sadiki së bashku me Leart Miftarin, Adonis Rexhepin dhe Blerim Bajraliun paraqitën një projekt të kishëzës, ideja e së cilës ishte udhëhequr nga parimi i krijimit të një hapësire të lirë universale. Projekti u shpërblye me “Honorable Mention” nga Eduardo Souto de Moura dhe Peter Eiserman, të cilët ishin pjesë e jurisë.
“Njeriu me vet faktin e ekzistencës së tij fiton të drejtën e të qenurit në hapësirë, kudo. Kjo na ka drejtuar drejt një objekti i cili është i hapur për të gjithë, pa dyer, pa barriera, i mbyllur vetëm për aq sa për të ofruar mbrojtje natyrore nga agjentët atmosferik por thellësisht i lirë për tu aksesuar në çdo moment në të gjitha hapësirat përbërëse të tij. Edhe pse një objekt dedikuar religjionit të krishterë, elementët simbolik religjioz, si kryqi, nuk vijnë përmes formales. Ato lindin natyrshëm si rrjedhojë e vendosjes së elementëve parësor të formësimit të hapësirës siç janë muret dhe tavani. Çarja në murin fundorë të sallës së lutjeve dhe tërheqja e tavanit duke e lënë depërtimin e dritës natyrore në pjesën fundore të saj, mundëson që publiku në shikimin në perspektivë nga thellësia e sallës, ta përjetoj kryqin në pjesën fundore të saj i cili vije si kombinim i të çarave në mur dhe tavan. Kjo mënyrë ku kryqi nuk është element fizik i ndërtuar si një artefakt brenda hapësirës arkitektonike por është pjellë e lojës arkitektonike, mundëson që rrëfimi religjioz të mos zhvillohet përmes elementëve simbolik religjioz duke lënë anash arkitekturën, por bënë pikërisht të kundërtën – shpaloset përmes arkitekturës”, thuhet në përshkrimin e projektit.
Arkitektët e përshkruajnë objektin në kuptimin teknologjik-konstruktiv, si një strukturë prej betoni të armuar e të pigmentuar në ngjyrë të kuqe, për të imituar materialin lokal me blloqe të dheut në njërën anë, dhe në anën tjetër për të gëzuar aftësi më të mira konstruktive.
Më poshtë gjeni fotografitë e projektit:
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)