Aktuale
Aplikacioni “Gjurmo”, për evidentim të ankesave të pejanëve për lagjet e tyre

Komuna e Pejës nga tash pretendon të jetë më afër qytetarëve të saj për të intervenuar dhe vepruar në rastet e paraqitjeve të problemeve, më të cilat ata ballafaqohen në vendbanimet e tyre.
Këtë do ta mundësojë një platformë e re në formë të aplikacionit për telefonat e mençur celular, e quajtur “Gjurmo”, përmes së cilës qytetarët mund t’i paraqesin shqetësimet e tyre me fotografi apo tekstualisht.
Projekti “Gjurmo”, i financuar nga UNICEF dhe organizata “Innovations Lab Kosovo”, është program, i cili konkretisht ka të bëjë me raportimin e problemeve të mbeturinave, infrastrukturës, ndriçimit publik dhe të gjitha raportimeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me probleme në Komunën e Pejës.
Sipas zyrtarëve të Komunës, ky do të jetë një bashkëpunim për kujdesin ndaj këtyre problemeve, me qëllim që të bëjmë zgjidhje adekuate dhe të shpejta me ndihmën e qytetarëve, të cilët do të qasen nëpërmjet këtij aplikacioni, që do të jetë funksional për celularët me programet operative “Android” dhe “iOS”.
“Fushatën e kaluar ne kemi filluar si staf i zyrës së kryetarit për të krijuar një platformë në të cilën qytetarë mund të raportojnë problemet, më qëllim që të mbledhim informata. E ndërkohë disa të rinj të Pejës e kanë fituar një projekt për ta krijuar këtë platformë me emrin ‘Gjurmo’, të cilën ata e menaxhojnë dhe zyrës së kryetarit i raportojnë në baza ditore për problemet e paraqitura nga qytetarët. Platforma është online të cilën qytetarët e Pejës mund ta shfrytëzojnë në çdo kohë”, tregon për këtë projekt shefi i zyrës së kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti. Sipas tij, qëllimi kryesor është që Komuna me qenë shumë më afër qytetarëve për t’i pranuar më shpejt informatën nga qytetarët për problemet e paraqitura, që pastaj me mund më shpejt me i delegua punët të drejtoritë përkatëse për trajtimin e shpejtë të problemeve të paraqitura.
“Në testet e para që i kemi bërë me këtë platformë, problemet për të cilat më së shumti kanë paraqitur qytetarët kanë qenë ndriçimi publik, rrugët, kanalizimi…”, thotë Sheremeti.
