Aktuale
Apeli shpall të pafajshëm ish-drejtorin e Urbanizmit dhe ish-kryeinspektorin e Gjilanit

Gjykata e Apelit ka shpallur të pafajshëm ish-drejtorin e Urbanizmit, Valon Shefkiu, ish-Kryeinspektorin, Milot Shkodra dhe zyrtaren e Drejtorisë së Urbanizmit, Bahrije Beqiri, të tre zyrtarë të Komunës së Gjilanit, pas pretendimeve të prokurorisë lidhur me disa shkelje.
“Pas një procesi të gjatë gjyqësor, tashmë edhe njëra nga instancat më të larta gjyqësore ka dhënë fjalën e saj për pafajësinë e zyrtarëve në fjalë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.
Ndërkaq, sipas kësaj komunikate, Apeli ka shpallur fajtor inspektorin e ndërtimit, Baki Azemi për marrje ryshfeti, për çka sipas ligjit të shërbimit civil e ka humbur vendin e punës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Valon Shefkiu, Milot Shkodra, Baki Azemi dhe Bahrije Beqiri akuzoheshin për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’.
Prokuroria pretendonte se të njëjtit gjatë vitit 2015, kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar. Sipas aktit akuzues, Valon Shefkiu, duke qenë drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Milot Shkodra si shef i Inspeksioit të ndërtimit, ndërkaq të pandehurit Baki Azemi dhe Barije Beqiri si inspektorë të ndërtimit, me qëllim që vetes apo tjerëve t’u sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, kanë lejuar që në qytetin e Gjilanit të ndërtohen shumë objekte kolektive banesore dhe afariste në kundërshtim me ligjin për ndërtim.
Ndërsa, të akuzuarit Enver Aliu, Sabedin Osmani, Gazmend Alidema, Shkelzen Qerimi, Avdyl Brestovci, Jahi Ramadani dhe Avdil Islami akuzohen për veprën penale ‘heqje e vulës zyrtare ose e shenjave’.
