Aktuale
Aparatet po e mbajnë në jetë punëtorin që u rrëzua nga kati i tretë

Aparatet e frymëmarrjes po e mbajnë në jetë punëtorin që para tre ditësh ra nga kati i tretë deri sa ishte duke punuar në një objekt banimi në rrugën “Igballe Berisha” në Prishtinë, raporton Ndërtimi.info
Gjendja shëndetësore e 52 vjeçarit S.G edhe tutje po vazhdon të jetë e rëndë, kështu ka treguar për Ndërtimi.info mjeku kujdestar i klinikës së anesteziologjisë dhe reanimacionit, Shaqir Uka.
Punëtori S.G po vazhdon të mbahet në gjumë përshkak të gjendjes së rëndë, e që sipas Ukës gjendja e tij është duke u përcjellë dhe duhet të pritet orët dhe ditët e ardhshme për gjendjen shëndetësore të tij.
“Edhe më tutje gjendja e pacientit është e rëndë. Ai është tutje me barna edhe i lidhur me aparatin i cili është duke e mbajtur në jetë sa i përket frymëmarrjes. Vazhdojmë ta mbajnë në gjumë përshkak të gjendjes së tij të rëndë. Duhet me vazhdu me qëndru kësisoji edhe tutje. Terapinë është duke e marrë atë që duhet prej barnave. Ne jemi duke e përcjellë dhe duhet të presim orët e ardhshme , ditët e ardhshme”, tregoi Uka.
Ndryshe, siguria e punëtorëve në vend të punës vazhdon të jetë e ulët, veçanërisht e atyre në sektorin e ndërtimit.
Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2018 tre persona kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës.
Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti kanë humbur jetën tre persona në vendin e tyre të punës, teksa 13 të tjerë kanë përfunduar me lëndime të lehta e disa edhe me lëndime të rënda.
Kurse, vetëm në vitin 2017, janë shënuar 15 raste ku punëtorët e ndërtimit kanë vdekur si pasojë e mungesës së mjeteve të sigurisë në vendet e punës.
