Aktuale
Anulohet tenderi për infrastrukturën e lumit Morava
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) ia ka anuluar Zyrës së prokurimit në Komunën e Vitisë tenderin për rehabilitimin dhe ndërtimin e infrastrukturës përgjatë lumit Morava e Binçës, ngase është gjetur se ka pasur shkelje të procedurave të prokurimit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tashti Vitisë i mbetet që edhe të ritenderojë këtë aktivitet prokurimi. Kurse vlera e projektit për renovimin e argjinaturave dhe ndërtimin e infrastrukturës mbrojtëse përgjatë lumit Morava është 1 milion e 450 mijë euro me të cilin projekt Komuna synon që të mbrohet nga vërshimet.
OSHP-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “Kosova Water and Energy” shpk-Mitrovicë, i cili kishte deponuar një ankesë ndaj Zyrës së prokurimit në Viti për shkeljen e Ligjit të prokurimit. Kurse OShP-ja pasi kishte shqyrtuar këtë ankesë kishte gjetur se Zyra e prokurimit në Viti nuk kishte respektuar nenin 44 të Ligjit të prokurimit publik e cila përcakton rregullat e përgjithshme që ka të bëjë me caktimin e afateve kohore për pranimin e tenderëve.
Me shumën e 1 milion e 450 mijë euro ishte paraparë të bëhet renovimi i argjinaturave dhe ndërtimi dhe infrastruktura mbrojtëse përgjatë Lumit Morava e Binçës-komuna e Vitisë. Pjesa e parë-fshati Nasale-Ura e Gjylekarit; Pjesa e dytë prej Urës së Gjylekarit-Ura e Kllokotit dhe pjesa e tretë Ura e Kllokotit e deri të Ura e Vitisë që gjendet në fshatin Binçës.



