Aktuale
Anulohet dhënia e kontratës për asfaltimin e rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë

Ministrisë së Infrastrukturës i është anuluar dhënia e kontratës për asfaltimin e rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë, dhë lënda për këtë është kthyer në Ritender, raporton Ndërtimi.info
Kjo pasi që paneli shqyrtues i “Gjykatës së Tenderëve”, kanë konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomik, as edhe kompania të cilës i është dhënë tenderi nuk kanë plotësuar kërkesat e vendosura në dosjen e tenderit.
“Duke pas parasysh të gjitha dëshmitë që ka pasur në dispozicion, paneli shqyrtues konstaton se asnjëri nga operatorët ekonomik në këtë aktivitet të prokurimit nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e autoritetit kontraktues, të vendosura në dosje të tenderit dhe të njoftimit për kontratë dhe për këtë arsye ky aktivitet I prokurimit duhet të anulohet”, thuhet në arsyetimin e dhënë nga paneli shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Pretendimet se Ministria e Infrastrukturës nuk ka respektuar Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) karshi këtij tenderi, pati kompania “Renelual Tahiri”-Prizren dhe “Bageri”-Ferizaj.
Të dy këto kompani ishin të pakënaqura me vendimin e ministrisë ku kishte rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik “2A Group&GPG Company”-Prishtinë-Tiranë.
“Renelual” pretendonte se autoriteti kontraktues, pra në këtë rast Ministria e Infrastrukturës ka vepruar në kundërshtim me nenin 1, 6, 59, 60, 62, 65 dhe 72 të LPP.
Ndërsa, “Bageri” në ankesën e deponuar në OShP më 21 dhjetor të vitit të kaluar pretendonte se ministria ka bërë shkelje esenciale të dispozitës së LPP-së nr.04/L-042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-237, me Ligjin 05/L-068 dhe Ligjin 05/L-092.
“Autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin, 1,2, ,7, 52, 59, 60, 69 dhe 72 të LPP, si dhe nenin 40 të RRUOPP-së”, thuhet në ankesën e kësaj kompanie.
Megjithëkëtë paneli shqyrtues ka konstatuar se të dy këta operatorë ekonomik ankues nuk kanë mundur të dëshmojnë se shkelja e supozuar i është kërcënuar t’i shkaktojë dëme këtij operatori ekonimik. Dhe se njëkohësisht bazuar në rrethana dhe fakte thuhet se të njëjtët operator ekonomik në asnjë variant nuk kanë mundur të shpallen fitues të këtij tenderi.
Autoriteti Kontraktues në aftë prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim panelin shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit dhe palët tjera në procedurë.
