Aktuale
Ankesat zhagisin ndërtimin e impiantit për mbeturina ricikluese në Suharekë

Në Komunën e Suharekës po parashihet të ndërtohet impianti për mbeturina ricikluese, me çmim 3 milionë e 266 mijë e 562 euro.
Për projektimin dhe ndërtimin e impiantit të mbeturinave ricikluese, Komuna e Suharekës ka zgjedhur edhe kompaninë që do të merret me këtë, shkruan Ndërtimi.info
Edhe përkundër kësaj projektimi dhe ndërtimi i impiantit do të zvarriten. Pasi që një operator ekonomik ka dalë kundër vendimit të Komunës së Suharekës.
Konsorciumi NTP “Arena Engineering” & “VGP DRAVA Ptuj D.O.O.&Nigrad dd” është ankuar në Gjykatën e Tenderëve se në përzgjedhjen e kompanisë fituese, Komuna e Suharekës nuk ka respektuar nenet që parashihen me Ligjin e Prokurimit Publik.
Konsorciumi pretendon se Komuna nuk ka bërë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve si dhe nuk respektuar nenin 7 që është barazia në trajtimin/jo diskriminim të operatorëve.
Veç kësaj në ankesë thuhet se Komuna e Suharekës ka bërë pranimin e ofertave në origjinale, në kopje dhe fasiklla të hapura, gjë e cila bie ndeshë me rregullat e udhëzuesit operativ për prokurimi publik për dorëzimin e tenderit në formë fizike.
“Neni 32 i Rregullave dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik për Dorëzimin e tenderit në formë fizike-Kemi shkelje të nenit 32, i cili në mënyrë të qartë e specifikon se tenderët e dorëzuar në formë fizike duhet të jenë të mbyllur në zarfa të veçantë, si edhe kopja edhe origjinali të jenë zarfa të vecantë dhe të mbyllur. Autoritetit Kontraktues ka bërë pranimin e ofertave, origjinale dhe në kopje në fasiklla të hapura. Edhe origjinali edhe kopja janë të hapura dhe mund të hapen, lexohen pa asnjë problem”, thuhet në ankesën e konsorciumit të adresuar në Gjykatën e Tenderëve.
Sipas përshkrimit të tenderit kërkohet projekti arkitektural, projekti ndërtimor i impiantit, projekti ndërtimor i hidroinstalimit, projekti i instalimit elektrik, projekti mekanik dhe teknologjik, projekti i dekorimit të jashtëm, projekti gjeodezik, studimi gjeomekanik, studimi mbi sigurinë në punë dhe studimi për mbrojtje nga zjarri.
