Aktuale
Ankesat në OSHP shqyrtohen edhe nga punëtorët që s’janë ekspertë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/03/OSHP-foto_Gazetajnk_359337.jpg)
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) po përballet me dobësi në qeverisje duke u autorizuar punëtorët administrativ për shqyrtimin e ankesave, pavarësisht se nuk kanë titullin e ekspertit profesional shqyrtues. Gjithashtu ky institucion nuk po respekton afatin ligjor për publikim të vendimeve.
Këto mangësi në funksionim të OSHP-së i ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit për vitin 2018, raporton Ndërtimi.info.
Ligji i Prokurimit Publik përcakton që OSHP-ja të publikojë vendimet e saj në web faqe brenda pesë ditëve. Mirëpo, sipas raportit të auditimit vonesat e publikimit kanë shkuar deri në 28 ditë, pas marrjes së vendimit.
E, mos-publikimi me kohë i vendimeve sjellë pasoja.
“Tejkalimi i afatit ligjor për publikim të vendimeve e zbeh transparencën e OSHP-së dhe shkakton vonesa që autoritetet kontraktuese ti zbatojnë ato. Kjo ka ndikim në afatet e vendimmarrjes apo hyrjes në marrëveshje kontraktuale për palët përkatëse”, thuhet në raportin e auditmit.
Për këtë ZKA rekomandon që kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, të sigurojë që të gjitha vendimet të publikohen brenda afatit ligjor.
Në anën tjetër ZKA ka identifikuar tre raste ku janë autorizuar punonjës të brendshëm administrativ (zyrtar i të hyrave, zyrtari kryesor financiar dhe asistenti ekzekutiv i kryetarit) të cilit nuk mbanin titullin e Ekspertit Profesional Shqyrtues për të trajtuar ankesa. E, kjo ka ndodhur me arsyen e OSHP-së, për kursimi të buxhetit dhe për shkak të numrit të lartë të ankesave të bëra gjatë vitit 2018. Madje sipas OSHP-së pa marrë parasysh emërtimin e zyrtarëve në Akt Emërime të gjithë punonjësit e OSHP-së i plotësojnë kriteret për shqyrtim të lëndëve.
Mirëpo, shqyrtimi i ankesave nga stafi administrativ paraqet rrezik.
“Autorizimi i personave administrativ për shqyrtimin e ankesave rrit rrezikun e ndikimit në kryerjen e detyrave të caktuara sipas rregullores së brendshme për detyra dhe përgjegjësitë që ju ngarkohen këtyre zyrtareve. Kjo praktikë mund të reflektoj në shqyrtime jo profesionale dhe të zbeh reputacionin e institucionit duke dëmtuar palët në proces”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Për këtë, ZKA-ja ka rekomanduar që kryetari i OSHP-së të sigurojë që autorizimi i ekspertëve profesional shqyrtues të bëhet në bazë të rregullores së punës të OSHP-së në mënyrë që ekspertizat të kryhen vetëm nga ekspertet kompetent.
ZKA-ja gjithashtu ka gjetur dobësi në fushën e depozitave, menaxhimin e personelit si dhe mallra dhe shërbimeve të OSHP-së. /Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)