Aktuale
Propozohet që Ura e Gurit në Prizren të bëhet WC publike

Asamblisti i VV në Kuvendin e Komunës së Prizrenit Ilir Gashi, ka kërkuar që Ura e Gurit në Prizren të kthehet në WC publike, meqenëse nuk po mirëmbahet nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Këtë kërkesë e kishte bërë gjatë seancës se Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tregon Gashi, në rrjetin e tij social facebook.
“Ura e Gurit” të kthehet në WC publike!
Sot gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit, i dëshpëruar nga degradimi dhe gjendja e mjerueshme sanitare e Urës së Gurit, propozova që në pamundësi të mirëmbajtjes adekuate të këtij monumenti nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ura e Gurit të kthehet në ËC publike”, ka shkruar ai.
Në vitin e kaluar harkun e majtë të Urës së Gurit e përfshiu zjarri, gjë që dëshmoi se mungesën e mbrojtjes së monumenteve kulturore.
Pas kësaj zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore bënë thirrje për koordinim më të ngushtë mes autoriteteve me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore. Ndërkohë organet komunale patën theksuar se kanë iniciuar veprime për pastrimin e urës, për heqjen e gjësendeve dhe mbeturinave, largimin e grilave nga harqet si dhe kthimin e ndriçimit te Ura e Gurit. Mirëpo, sipas komenteve të qytetarëve shihet se një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Ura e Gurit në Prizren supozohet se është ndërtuar në fund të shekullit të XV ose në fillim të shekullit XVI. Në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha. Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet ‘60. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urë u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Punët restauruese i kreu Ndërmarrja e ,,Elanit”, nën mbikëqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit. Ura e rindërtuar solemnisht u inaugurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit me vendimin nr. 2345 të datës 31 dhjetor 1948 vihet nën mbrojtje të shtetit.
