Aktuale
“Anëtarët dhe ekspertët shqyrtues të OSHP-së ende përballen me aktakuza”
Mungesa e konsistencës në vendimmarrje si dhe shkelja e afateve kohore për trajtimin e ankesave, nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) janë disa nga problemet e evidentuara gjatë monitorimit të këtij institucioni nga Demokracia Plus (D+), përderisa ruajtja e integritetit institucional del të jetë problemi kryesor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Hulumtuesi në D+, Isuf Zejna, ka thënë se në këtë raport gjinden të gjitha faktet dhe argumentet për të gjeturat që organizata ka shtjelluar.
“OSHP vazhdon të ballafaqohet me hetime dhe aktakuza qoftë për anëtarë të bordit ose ekspertë shqyrtues… Ne konsiderojmë se problem kryesor për këtë çështje është mungesa e rregullave ose moszbatimi i këtyre rregullave që shërbejnë për parandalim të korrupsionit, konflikt të interesit e të tjera… Po vijmë në situata ku anëtarë të OSHP-së po marrin vendime të cilat nuk do duhej të ishin në panele ose të cilat janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik”, ka thënë Zejna, duke shtuar se këto mangësi kanë bërë që të ngriten aktakuza ndaj anëtarëve të këtij institucioni, raporton KP.
Sipas tij, në vazhdën e problemeve, D+ ka renditur edhe mungesën e konsistencës në vendimmarrje, pasi që OSHP për situata të njëjta apo të ngjashme ka interpretuar Ligjin e Prokurimit në forma të ndryshme, ndërsa ka thënë se në raport theksohet edhe shkelja e afateve kohore të OSHP-së për trajtimin e ankesave.
Sipas Sara Zhubit nga Demokracia Plus, çështje shumë e rëndësishme është zgjidhja e problemeve të identifikuara. Kështu ajo ka numëruar disa nga rekomandimet që D+ ka dhënë për OSHP-në në këtë rast, si synim të rritjes së integritetit të këtij institucioni.
“Fillimisht, ne rekomandojmë OSHP-së që të gjitha seancat e shqyrtimit dhe të vendimmarrjes të jenë të hapura për publikun, në mënyrë që të mund të monitorohet vendimmarrja. Gjithashtu votimi i anëtarëve të panelit të jetë pjesë i bashkangjitur me vendimin, dhe në rastet kur këta anëtarë votojnë kundër ndonjë çështjeje të jepet arsyetimi se pse ata kanë vepruar në një mënyrë të tillë… E rëndësishme është edhe çështja e konfliktit të interesit e cila është mjaft prezente në OSHP dhe që duhet të merren masa për parandalimin e saj”, është shprehur ajo.
Në raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Demokracia Plus ka renditur edhe disa rekomandime të tjera si: sigurimin e konsistencës në vendimet e OSHO-së përmes krahasimit të vendimeve, ndërmarrjen e masave në parandalimin e konfliktit të interesit, matjen e performancës së ekspertëve në OSHP-së për të siguruar kualitet të lartë të punës, rritjen e bashkëpunimit të OSHP-së me prokurorinë si dhe të mos angazhohet asnjë ekspert i cili ka kryer vepra penale për çfarëdo vepre jo etike.
Ndryshe, kjo është hera e dytë që Demokracia Plus del me raport për punën e Organit Shqyrtues Të Prokurimit Publik, ndërsa raporti i publikuar të mërkurën përfshinë periudhën mars – qershor të këtij viti.