Aktuale
Amerikanët e “General Electric” marrin ndërtimin e mirëmbajtjen e “Kosovës së Re”

Është përzgjedhur konglomerati amerikan General Electric (GE) për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë të Termocentralit “Kosova e Re”, gjë që ka gëzuar Odën Amerikane të Kosovës, e cila ka lëshuar edhe një komunikatë për medie.
“Oda Amerikane konsideron se furnizimi jostabil me energji elektrike në vazhdimësi i ka shkaktuar dëme të mëdha industrisë vendore duke pamundësuar zhvillimin e mëtutjeshëm veçanërisht të sektorit të prodhimit. Në këtë drejtim, vendimi për përzgjedhjen e konglomeratit amerikan General Electric për konstruktimin dhe mirëmbajtjen afatgjate të termocentralit ‘Kosova e Re’ i përgjigjet nevojës së bizneseve për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike duke siguruar për furnizim të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm”, thuhet nga OAK, raporton Ndertimi.info.
Oda Ekonomike Amerikane më tej thotë se “beson se ndërtimi i këtij termocentrali përveç se do të garantojë furnizim stabil me energji elektrike si një domosdoshmëri për zhvillimin e sektorit privat në vend, gjithashtu do të ketë impakt në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”.
E për përfshirjen e General Electric, e cila gëzon një reputacion globalisht të mirënjohur në fushën e energjisë, sipas OAK-ut do të mundësojë një teknologji por edhe praktika më bashkëkohore të ndërtimit dhe menaxhimit.
Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet nga Contour Global, mirëpo Banka Botërore është tërhequr nga kredia e saj, e tash do të jetë shteti i Kosovës garantues për një kredi të madhe për ndërtimin e këtij termocentrali.
