Aktuale
Ambasadori zviceran na bën horë: S’është normale ne të financojmë ujësjellës, Kosova financon veteranët e rrejshëm

Përurimi i ujësjellësit për disa fshatra të Skenderajt ka bërë që ambasadori i Zvicrës në Kosovës, Jean-Hubert Lebet të kritikojë udhëheqësit e vendit për keqpërdorime.
Ai, ka thënë se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë projekte të tilla, ngase sipas tij, Kosova ka para, por nuk duhet keqpërdorur.
Ambasadori Lebet ka thënë se nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.
Ai ka theksuar se vlera e projektit të ujësjellësit kushton 2.5 për qind e vlerës së ndarë për pensionet e veteranëve, këtu ai ka thënë se ka shumë veteranë të rrejshëm që marrin pensione pa meritë.
“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financoi ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, tha ai, raporton Ksp.
Kësaj deklarate të ambasadorit i ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se në vendin ku po përurohet ujësjellësi, ka shumë luftëtarë të vërtetë të cilët kanë qenë në UÇK.
