Aktuale
Ambasadori O’Conell i del në krah ambasadorit zviceran: “Tha atë që e mendojmë të gjithë”

Deklaratës së Ambasadorit të Zvicres në Kosovë Jean-Hubert Lebet, ku kritikojë udhëheqësit kosovarë për keqpërdorime, duke thënë se po financojnë veteranë të rrejshëm i është bashkëngjitur sot edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell.
Sipas O ‘Conell, ambasadori zviceran ka thënë atë që e mendojnë të gjithë.
“Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, ka shkruajtur Ambasadori Britanik, në postimin e tij në Facebook.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovës, Jean-Hubert Lebet, kritikat i adresojë dje gjatë përurimit të ujësjellësit në disa fshtara të Skënderajt, ku u shpreh i indinjuar me keqpërdorimet që sipas tij po bëhen në Kosovë.
“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financoi ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, kishte deklaruar Lebet.
Deklarata e ambasadorit zviceran nuk i kishte pëlqyer as Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili mbrëmë u shpreh se është e papranueshme deklarata e ambasadorit zviceran për veteranët dhe madje para qytetarëve të Skenderajt.
E që për këtë ai theksoi se Lebet është dashur të largohet menjëherë.
“Nuk është ambasadori për me u marrë me ato. Publikisht para qytetarëve është e pakuptimtë me e lidhë një investim me një temë të ndjeshme, me veteranët e luftës. Sikur t’isha ai që marrë vendime, sot ia kisha çu letrën e largimit. Një ambasador i di përgjegjësitë e tij. Janë bërë si fëmija. Kujt t’i teket të na thotë çkado edhe të mos kenë përgjegjësi mbi ata që e thonë. Fjala publike e një ambasadorit të thuhet para familjarëve të dëshmorëve është e dhimbshme”, ka thënë ministri Lekaj.
Ndaj tij kishte reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se në vendin ku u përurua ujësjellësi, ka shumë luftëtarë të vërtetë të cilët kanë qenë në UÇK./Ndërtimi.info/
