Aktuale
Alternativa: Komuna e Gjakovës “bakshish” leje ndërtimi zyrtarëve të AAK-së

Alternativa ka akuzuar komunën e Gjakovë se iu ka dhënë leje ndërtimi zyrtarëve të lartë të AAK-së.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “në kuadër të angazhimit të grupit të ekspertëve nga Alternativa, për monitorimin e punës së qeverisjes lokale, kemi evidentuar shumë parregullsi dhe shkelje ligjore që kanë të bëjnë me proceset e dhënies së lejeve të ndërtimit në komunën e Gjakovës”.
Alternativa thotë se Drejtoria e Urbanizmit tashmë është rikthyer në shërbim klientelist të individëve dhe klaneve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Alternativa shton se, “dy rastet e para të shkeljeve serioze në procedurat e dhënies së lejes së ndërtimit, të cilat janë bërë me insistimin e kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, janë leje për objektet banesore të familjarëve të zëvendësministres së Kulturës, anëtares së AAK-së, Burbuqe Bakija-Deva, edhe pse ju kishte refuzuar gjatë mandatit të qeverisjes së kaluar, si dhe Drejtorit të KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, gjithashtu anëtar dhe bashkëpunëtor i afërt i AAK-së”.
“Ndërtimi i objektit kolektiv me afarizëm në përdhes me etazhitet B+P+8, në rrugën Bujar Roka (në afërsi të rrethit në drejtim të Prizrenit), dhe objektit kolektiv në rrugën “Yjet e Erenikut” me etazhitet B+P+4+NK, konsiderohen shkelje e Planit Rregullues të zonës, Ligjit për Planifikim Hapësinor, dhe Ligjit për Ndërtim”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se dhënia e kushteve ndërtimore të cilat nuk janë në përputhje me planin rregullues dhe vendosja e shpalljeve në rreze prej 50 metrave, duke mos respektuar dokumentacionet ligjore në fuqi nga ana e institucionit, konsiderohet shkelje. Gjithashtu, Komuna e Gjakovës, përmes zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit, ka tendenca që në vazhdimësi t’ju jap leje ndërtimi edhe personave që ju është refuzuar kërkesa gjatë viteve të kaluara, si dhe për të njëjtat kërkesa kanë marrë edhe përgjigje negative nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, siç është rasti për objektet në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.
Gjithashtu, gjatë 4 muajve qeverisjes Gjini, Alternativa thotë se, “kemi konstatuar se ka mbindërtime dhe devijime nga vijat rregullative ndërtimore në objektet për të cilat ekziston leja e ndërtimit. Edhe këto shkelje që kanë ndodhur para syve të qeverisjes lokale, janë objekte të personave dhe militantëve të AAK-së, siç është rasti i mbindërtimit në objektin tjetër të familjes Bakija, ku janë ngritur dy kate më shumë se sa e parasheh leja e ndërtimit, familjes Shala në afërsi të Urës së Taliqit, ku objekti është bashkuar me Urën edhe përkundër lejes së ndërtimit që e specifikon që objekti duhet të jetë larg disa metra, si dhe objektit Ylli Pashtriku në pjesën e ish-bagigës i cili ka uzurpuar pronën publike duke e drejtuar gabaritin e objektit”.
“Zyrtarisht, Alternativa është në përpilim të kallëzimeve penale për Komunën e Gjakovës, pasi që tash edhe Gjakova vetëm sa ka filluar të kapet nga individët dhe grupet e Aleancës, duke shkelur planet rregullative, ligjet në fuqi dhe përmes dendësisë së banimit dhe mbindërtimeve, po zhvlerësojnë edhe pronat e qytetarëve të Komunës së Gjakovës që janë në afërsi të këtyre objekteve”, thuhet në komunikatë.
Alternativa thotë se shkeljet e konstatuara janë të listuara në vijim:
Bazuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor neni 17 mbi Planet Rregulluese të Hollësishme pika 3 Planet Rregulluese të Hollësishme përcaktojnë kushtet ndërtimore.
Bazuar në Ligjin Për Ndërtim Kushtet ndërtimore – kushtet e përcaktuara nga plani rregullativ urban, ose në mungesë të këtij plani, të aprovuara nga organi kompetent, të cilat shërbejnë si bazë për hartimin e dokumentacionit ndërtimor.
Bazuar në nenin 17 pika 2 të ligjit për ndërtim Në territoret për të cilat ekziston plani rregullativ urban, nuk nevojitet të kryhen procedurat e parapara për Fazën I pasi që plani rregullativ urban përcakton kushtet e nevojshme . (Faza I: organi kompetent parasheh kushtet ndërtimore brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas pranimit të kërkesës për kushtet ndërtimore për ndërtimet e kategorisë I dhe tridhjetë (30) ditë për ndërtimet e kategorive II dhe III ) Neni 18 Përcaktimi i kushteve ndërtimore 1. Nëse nuk ekziston plani rregullativ urban, aplikuesi i propozon organit kompetent kushtet ndërtimore që dalin mbi bazën e diametrit prej pesëdhjetë (50) metrave nga vijat kufizuese të parcelës tokësore për të cilën aplikuesi ka kërkuar të ndërtoj objektin e tij ndërtimor. 2. Në rast kur nuk ekziston plani rregullues urban, organi kompetent njofton publikun dhe mundëson komentet për kërkesën e dhënies së lejes së ndërtimit. Gjithashtu bazuar në U.A Nr. 06/2017 për përcaktimin e procedurave për përgatitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për kushte ndërtimore për kategorinë e I-rë dhe të II-të të ndërtimeve , Neni 10 mbi rastet kur duhet të aplikohet për kushte ndërtimore: Kërkesa për kushte duhet të dorëzohet nëse nuk ka dokument të planifikimit Hapësinor në fuqi ose nëse dokumentet e planifikimit nuk përcaktojnë të gjitha kushtet e nevojshme ndërtimore Neni 13 Shqyrtimi i kërkesës për kushte ndërtimore pika 9 Vendimi për kushte ndërtimore nuk do të parandaloj organin kompetent që të kërkoj korrigjimin e gabimeve në dokumentacionin ndërtimor dhe të dhënat tjera. Organi kompetent është i autorizuar që të pezullojë apo të revokoj vendimin për Kushte Ndërtimore në rast se është lëshuar gabimisht apo bazuar në të dhëna jo korrekte, të pasakta dhe të pakompletuara ose në shkelje të ndonjë ligji , rregulloreje, akti nënligjor apo dispozitë të Kodit të Ndërtimit ose rregulloreve teknike.
