Aktuale
Aliu: Plogështia e Ahmetit dhe MMPH-së kanë vonuar planin rregullativ të Prishtinës

Plogështia dhe zvarritja e vendimmarrjeve nga kryetari Shpend Ahmeti dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) janë shkaktarët kryesorë të vonimit të planit rregullativ të komunës së Prishtinës, përkatësisht hartës zonale, sipas ish-drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu.
Ai gjatë një interviste ka deklaruar se qeverisja e përgjithshme ka zvarritur procedurat e këtij plani rregullativ i cili është diskutuar për kohë shumë të gjatë.
“Deshtëm me bo atë projekt po nuk e ka nënshkruajtur kryetari. Publikimi nuk ishte bërë edhe për arsye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë që asnjëherë nuk ka arritë të ndërtojë sistem të vendosjes së këtyre data bazave për t’i bërë publike. Ne kemi dashur vet ta realizojmë këtë projekt si komunë por për shkak të Ministrisë kjo nuk ka ndodhë asnjëherë”, është shprehur Aliu.
Ai ndër të tjera ka folur edhe për ndërtimet pa leje, për të cilat ka thënë se nuk po ndalohen nga kryetari Ahmeti, madje ato po vazhdojnë të ndërtohen në qendër të Prishtinës.
“Nuk bëhet fjalë për shtëpi në periferi, në lagjet periferike mund të ketë ndërtime të cilat inspektorati nuk i vëren dhe qytetaret nuk lajmërojnë dhe mundet me u ndërtu diçka ashtu por jo të lejohet një gjë e tillë në qendër”, ka thënë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ankesa për kryetarin Ahmeti ka pasur edhe vonimin e realizimit të projekteve, ku sipas tij drejtorët duhet të shkojnë disa herë në zyrë derisa të arrijnë të marrin një nënshkrim.
