Aktuale
Aliu: Plani Zhvillimor i Ferizajt me shumë mangësi, por duhet ta zbatojmë
Cenimi i Planit Zhvillimor të Ferizajt dhe degradimi urban që po prodhon ky plan, prej disa muajsh po ndeshin pozitën me opozitën.
Aliu tha se plani zhvillimor në Ferizaj, i votuar në 2017-n, sa i përket përmbajtjes ka të meta serioze.
“Tash unë duhet ta mbroj e ta zbatoj. Nuk e mbroj përmbajtjen por është dokumenti më i rëndësishëm”, tha ai.
Plani zhvillimor, theksoi Aliu, mund të përmirësohet.
“Ministria ka qenë shumë e cunguar në këtë drejtim. Ata kanë thënë që s’mund të përmirësohet, madje s’na kanë lejuar as ato gabime teknike t’i përmirësojmë”, tha ai.
Ky plan, është bërë me shkelje të mëdha ligjore.
“Unë zbatoj ligjin. Kam qenë luftëtari më i madh i këtij projekti por është ligj për mua. Ne si qeverisje lokale jemi duke u munduar ta merimitojmë, por jo të cenojmë ligjet”, u shpreh ai.
Ai tha, se me plot vërejtje që ka, ai e zbaton këtë plan zhvillimor.
“Me këtë plan zhvillimor Komuna e Ferizajt ka mbetur mbrapa”, tha ai. Aliu theksoi që Ferizaj, s’ka as plan zhvillimor urban.
“S’kemi zona, pra, s’e kemi planin zhvillimor urban në Ferizaj”, tha ai.
Sipas opozitës në Ferizaj, drejtoria komunale ka lejuar që në qytet të ndodhin ndërtime shumëkatëshe pa leje, por Aliu, e mohon.
“Nuk jam bërë drejtor për të shkatërruar, i di pasojat që Vetëvendosja i ka bërë. Asnjë drejtor nuk është mbret. Por ligjin që është në fuqi duhet ta zbatosh”, tha ai.
Ai tha se nuk e di se sa leje ka dhënë për ndërtime të larta.
Aliu tha se në Ferizaj ende ka probleme se ka ndërtime me 3 metra largësi prej njëra tjetrës.