Aktuale
Alarmon “Ec Ma Ndryshe”, midis Prizrenit ndërtim pa leje [video]

Në një komunikatë për media të lëshuar nga organizata jo-qeveritare “Ec Ma Ndryshe”, bëhet me dije se po vazhdojnë veprime të ndërtimit të konsutruksioneve që çojnë në zgjerimin e hapësirave, mirëpo nuk kanë leje. Kësaj radhe po ndodh midis qytetit.
Hotel “Theranda”, që në fakt ka ndërruar tërësisht pamjen nga hoteli që ishte në origjinal, është duke zhvilluar ndërhyrje për të cilën nuk ka marrë leje nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren.
“Në përgjigjen zyrtare të Drejtorisë së Urbanizmit bëhet me dije se investitori ka parashtruar kërkesë pranë këtij institucioni për t’u pajisur me leje me qëllim të montimit të konstruksionit metalik në katin e dytë të ‘Hotel Therandës’. Me këtë rast Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore pas shqyrtimit të kësaj kërkese ka refuzuar dhënien e pëlqimit për këtë veprim me anë të vendimit Nr.20/2 të datës 4/2/2019. Rrjedhimisht, Drejtoria e Urbanizmit njofton se në këto rrethana ka vendosur që investitori të mos pajiset me përgjigje positive”, thuhet nga “Ec Ma Ndryshe”.
Një afat që i ishte dhënë nga Drejtoria e Inspeksionit në Prizren, që për 10 ditë të hiqet konstruksioni metalik, ka skaduar. Por, ky aktvendim jep hapësirë që brenda 30 ditësh të parashtrojë ankesë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Në anën tjetër Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit njofton se pas inspektimeve të kryera më datën 5/2/2019 ka konstatuar se në lokalin e lartëshënuar janë vendosur konstruksione metalike pa poseduar leje të DUPH-së dhe investitorit i është dhënë një afat 10 ditor për largimin e objektit, afat i cili tashmë ka skaduar. Për më tepër sipas këtij aktvendimi pala ka të drejtë ankese brenda 30 ditëve në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet nga “Ec Ma Ndryshe”.
Për më shumë, kjo organizatë ka shfaqur së fundi një dokumentar i cili flet kryekëput për ndërtimet pa leje.

You must be logged in to post a comment Login