Aktuale
Al Trade ankohet në projekt, Ministria e Shëndetësisë e sheh si të vonë

Rreth dy muaj para afatit të përfundimit të ndërtimit të Klinikës Emergjente në Prishtinë, punët janë ndalur. Punë kryesja “Al Trade”, për nevoja të brendshme, angazhoi një kompani për të rivlerësuar projektin.
Leonit Gecaj, nga Al trade, nuk deshi të komentojë të gjeturat e raportit, që hartuan arkitektët e angazhuar, por i tha Klanit përmes postës elektronike se ata bëjnë studime për secilin projekt që e punojnë.
Sipas arkitektëve, një nga të metat e evidentuara është se objekti ka gjashtëfish më shumë metra katror se ato të ngjashmet në vendet e tjera evropiane, për më tepër projekti i saj paraqet rrezik edhe për shëndetin e pacientëve.
Megjithatë, këto të meta mund të përmirësohen edhe në fazën kur janë përfunduar punët e vrazhda në këtë objekt.
“Mund të jetë kosto por për të ardhmen është kosto shumë e vogël. Nëse behet e tillë sikur është tash ka me qenë jo funksionale”.
E pretendime të tilla po i mohojnë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët raportin e këtyre arkitektëve e kanë pranuar në dhjetorin e kaluar.
“Ministria e Shëndetësisë, e ka vlerësuar, që një raportit i tillë ka qenë i anshëm. Nuk ka qenë raport i kërkuar nga autoriteti kontraktues, që në këtë rast është Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria insiston që kontratat duhet të përmbushën”.
Mangësi në këtë objekt janë gjetur edhe nga njësiti për Infrastrukturë të Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo, defektet mund të eliminohen gjatë punimeve.
