Aktuale
Aktakuzë për drejtorin komunal në Prizren që s’parandaloi vdekjen e Xheneta Gashit nga shembja e shtëpisë
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër Bedrija Ejupagiq për veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitim të rrezikut në rastin e vdekjes së Xheneta Gashit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit B.E., për shkak të veprave penale, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 2 të KP-ës dhe mos evitimi i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1 të KP-ës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Më tutje në komunikatë thuhet se, “sipas aktakuzës i akuzuari B.E., në cilësi të personit përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nga pakujdesia nuk ka ndërmarr masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren për të evituar rrezikun, në atë mënyrë që me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta., fëmija Xh.G., e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, ashtu që nga plagët e marra ndërron jetë”.
Me këto veprime i akuzuari B.E., ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 2 të KP-ës dhe mos evitimi i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1 të KP-ës.
You must be logged in to post a comment Login