Aktuale
Aktakuzë ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren, akuzohet për disa shkelje

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, inspektorit të ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit N.M. për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.M. si person zyrtar ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë për të përfituar çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.
Në njoftim theksohet se më 22 tetor 2013 dhe dy ditë më pas, ai kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e më pas më 5 nëntor të atij viti, kishte urdhëruar pajisjen me leje për ndërtimin e objektit, sallon dasmash afër pompës së benzinës “Arbëria” në hyrje të autostradës veri në Prizren, pronë e Sh.B.. Më 9 korrik 2015, i pandehuri kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve pa leje në ndërtimin e kompleksit të ndërtimeve “Barut-hane”, në Prizren, pronë e investitorit T.K., ndërsa më 11 prill 2017 kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve ndërtimore pa leje në objektin hotelier për dasma “Crystal Palace” në hyrje të autostradës veri, afër fshatit Landovicë, pronë e Z.K..
“Ai po ashtu kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në depon për prodhimin e veletit afër rrethit të autostradës në lagjen “Arbanë” në Prizren, pronë e A.Sh.. Sipas aktakuzës, i pandehuri s’kishte marrë “masa pasuese në frymën e këtyre akteve gjegjësisht Aktvendime për rrënime vullnetare dhe përfundimisht Konkluzione për rrënime të detyrueshme të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkaktohet dëm material edhe Komunës së Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
