Connect with us

Aktuale

Ahmeti thotë se s’ka vendim për rrënimin e ish-Gërmisë, do debat me argumente për Sallën Koncertale

Published

on

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka thënë se së shpejti planifikohet të mbahet një debat lidhur me temën e cila ditëve të fundit ka ngjallur mjaft reagime.

Bëhet fjalë për Sallën Koncertale, që është paraparë të ndërtohet në ish-ndërtesën “Gërmia”.

Kundër kësaj ideje, për të cilën kujtojmë se ende nuk është marrë ndonjë vendim për rrënimin e ish-objektit Gërmia, kanë dalë edhe shumë artisë me emër, e madje, u krijua edhe një peticion.

Kryetari Ahmeti thotë se Komisioni Evropian është interesuar të investojë me 15.4 milionë euro por me kushtin që salla të ndërtohet në një lokacion në qendër, e Ahmeti, thotë se ish-objektin “Gërmia”, e ka parë si objekt që i përmbush kërkesat. Thotë se është kundër rrënimeve të objekteve kulturore, por “Gërmia”, nuk është përfshirë tek Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Tutje Ahmeti ka thënë se do mbahet një debat publik, dhe e ka përmendur si lokacion të mundur Kino Armata, por ka thënë se nuk do të lejohen sulmet e fyerjet, e madje ka thënë se ata që e kundërshtojnë duhet të japin arsye të forta, se pse një gjë e tillë nuk është e mundur.

Lexoni të plotë e pa ndërhyrje postimin e kryetarit Shpend Ahmeti në Facebook:

DISKUTIM LIDHUR ME SALLËN KONCERTALE

Të nderuar qytetarë,

Po e hapi edhe këtu diskutimin lidhur me Sallën koncertale në komunën e Prishtinës, ani se shumë shpejtë do ta kemi diskutimin publik me komunitetin dhe me qytetarët e komunës dhe Republikës. Meqenëse janë dhënë shumë mendime ditëve të fundit, me jo pak insinuata, po mundohem ta shpjegoi situatën, që diskutimi të bëhet më përmbajtësor, objektiv dhe racional.

1. Së pari, sqaroi sërish se bëhet fjalë për Sallën koncertale, e jo për Pallatin e Operës dhe Baletit. E dyta është institucion shtetëror, e para është infrastrukturë artistike e Komunës.

2. Komisioni Evropian ka shfaqur interesim për të investuar 15.4 milion euro, me kushtin që salla të jetë në një lokacion qendror. Nuk ka insistuar në ndonjë vend të saktësuar, por ka shprehur kundërshtimin për periferi dhe për lokacion që do të ishte afër stadiumit.

Vendimi nuk është marrë ende! Por, kemi shumë pak kohë për ta marrë vendimin përfundimtar.

Ne, si komunë, nuk i kemi 15 milion euro për sallë.

3. Bashkë me Shoqatën e arkitektëve, po bëhen gati kriteret për ta hapur konkursin ndërkombëtar për Sallën Koncertale. Këtë pjesë e financojmë ne, e pastaj fituesi do ta bëjë projektin zbatues me Komisionin Evropian (në qoftë se aprovohet financimi).

Ndërtesa « Gërmia » është një nga lokacionet e mundshme. Siç dihet, kam shprehur mendimin tim për këtë mundësi, në cilësinë e kryetarit të Komunës.

1. Ndërtesa e Gërmisë është pronë shoqërore dhe nën administrim të AKP-së. Ish-Qeveria Mustafa e ka shpallur zonë të interesit publik duke e filluar shpronësimin e saj dhe të pronave përreth për nevojat e qeverisë. Nuk e di saktësisht për çfarë qëllimi, por po supozoi se ka qenë për ndërtesa të ministrisë.

2. Në ndërtesën « Gërmia » është e vendosur momentalisht Administrata Tatimore, e që mendoj se nuk e ka vendin në qendër. Aty është po ashtu Ministria e Infrastrukturës dhe një departament i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

3. « Gërmia » ndodhet mbi lumin Vellusha, që kalon në mes të ndërtesës.

4. Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk e ka përfshirë « Gërminë » në regjistrin e objekteve të mbrojtura.

5. Kundërshtuesit e këtij opsioni thonë se ndërtesa ka vlera emocionale dhe historike për Prishtinën. Si vlera janë përmendur fasada (e shkatërruar me hapjen e dritareve, gati se pa asnjë sanim) dhe eskalatorët (shkallët lëvizëse) të cilat nuk ekzistojnë tani. Besoj se do të dëgjojmë edhe argumente të tjera gjatë ditëve në vijim.

6. Nuk jam urbanist dhe as arkitekt, por nga të gjitha argumentet që kam dëgjuar deri tani nga të tjerët, lokacioni « Gërmia » më duket ideal. Dilema e vetme dominuese është mbi vlerën e ndërtesës. Por, ta kemi të qartë se nuk ka asnjë vendim zyrtar deri në këtë moment! Edhe ashtu, vendimi nuk merret vetëm nga një institucion.

Duke qenë ithtar i madh i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe i kujtesës sonë kolektive, po nënvizoi më poshtë, disa nga qëndrimet e mia lidhur me këtë temë.

Fatkeqësisht, tashmë është rrënuar ose zhdukur trashëgimia kulturore e disa ndërtesave, edhe atë nganjëherë pa ndonjë zhurmë të madhe nga komuniteti. Fatmirësisht, me ndërhyrjet e komunës së Prishtinës, kemi arritur ta mbrojmë Bankën Qendrore të Kosovës, Mensen në Qendrën studentore dhe jo pak objekte të tjera të trashëgimisë sonë kulturore, në komunën e Prishtinës.

Edhe « Trekëndëshi » është ruajtur, edhe pse pa ndihmën e disa zërave të komunitetit që tash po e kundërshtojnë « Gërminë » si lokacion. Në qoftë se e mbrojmë të vjetrën vetëm sepse është e vjetër, atëherë duhet ta bëjmë në mënyrë konsistente.

Por, në qoftë se përzgjedhim vetëm disa ndërtesa të caktuara, atëherë duhet bazuar në argumente racionale dhe profesionale, e jo në akuza dhe shpifje të ndërsjella. Duke e marrë parasysh se Pallati i Rinisë nuk është opsion, sikurse edhe periferia, atëherë duhet të japim ndonjë propozim alternativ për lokacionin. Përndryshe, nuk ka financim, e rrjedhimisht as sallë. Sigurisht se kjo nuk është kërcënim apo shantazhim, por është gjendje reale e situatës.

Edhe krahasimi me qytetet e tjera është bërë hera-herës varësisht se kujt i ka konvenuar. Sikurse qe rasti me stadiumin në qendër, ku ka shembuj të ndryshëm nga qytete të ndryshme. Andaj le ta marrim vendimin duke iu referuar interesave të Prishtinës.

Prandaj edhe këtu, le të bashkëbisedojmë në mënyrë racionale e profesionale, mbi të mirat dhe të këqijat e një vendimi të mundshëm. Përndryshe nuk ka kurfarë konsistence në mbrojtje apo mosmbrojtje të objekteve të vjetra në komunën tonë. Edhe ashtu, kjo çështje do të shtrohet në debat publik, ku do të mund të shprehen mendimet dhe vlerësimet e qytetarëve, profesionistëve etj.. Besoj thellësisht se mund ta bindim bashkërisht njëri-tjetrin për opsionin më të mirë; edhe pse sikurse gjithkund, edhe ne nuk do të mund të kemi vendim unanim.

Le ta zhvillojmë diskutimin bashkërisht për ta orientuar vendimin përfundimtar të cilin e marrin organet komunale bashkë me Kuvendin. Disa vendime nuk do të mund të merren pa vendimet e qeverisë (kur dihet se prona është nën administrim të qeverisë).

Le të diskutojmë bashkë. Me etikë dhe profesionalizëm.

Fyerjet dhe sulmet ad-hominem nuk do të lejohen.

Ju faleminderit.

Me respekt.

P.S. Debatin po planifikojmë ta bëjmë në Kino Armata

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending