Aktuale
Ahmeti thotë se sivjet fillon ndërtimi i parkingut nëntokësor
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës për ndërtimin e parkingun nëntokësor tek Fakulteti i Filologjisë.
Këtë e ka bërë të ditur i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se ndërtimi i parkingut fillon sivjet.
“OSHP i ka dhënë të drejtë Komunës për parkingun nëntokësor dhe për procedurat e ndjekura, prandaj tani mund të vazhdojmë. Parkingu nëntokësor me mbi 500 vendparkime do të fillojë ndërtimin sivjet. Parku sipër do të zgjerohet. #prishtina#parking”, ka shkruar Ahmeti në facebook.
OSHP-ja kishte anuluar aktivitetin e prokurimit për këtë projekt, pasi kompania Nuha Bauunternehmung GmbH & Co. KG & Qamili GbR “Alba Clean”, ka bërë ankesë me arsyetimin se është eleminuar padrejtësisht. Kjo kompani thotë se komuna nuk i ka dhënë arsyet për të cilat e ka eliminuar nga konkursi.
Komuna e Prishtinës përgjatë vitit 2018 kishte filluar fazën e parë për ndërtimin e parkingut e që është shpallja e kërkesës për kualifikim, për të vazhduar më pas me shpalljen e kërkesës për propozim dhe për të përfunduar me përzgjedhjen e ofertuesit më të suksesshëm,
Në fazën e parë, atë të aplikimit të ofertuesve kishin aplikuar gjashtë kompani.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte zotuar se punimet për ndërtimin e parkingut do të fillojnë në vitin 2018, por edhe pse jemi në muajin e pestë të vitit 2019, kjo ende nuk ka ndodhur.
Ky parking nëntokësor pritet të ketë kapacitet për së paku 500 vetura. Sipërfaqja e ndarë për parking është 13,990 metra katrorë dhe është planifikuar që të ndërtohet në 2 etazhe. Disniveli në pjesën perëndimore të lokacionit mund të shfrytëzohet për ndërtimin e disa lokaleve afariste, në sipërfaqe të përgjithshme prej 500 metrash katrorë.