Aktuale
Ahmeti: S’ka gjasa teorike me shpronësu tokën për ndërtimin e kolektorit në “Kalabri”

Nevojën për ndërtimin e një kolektori e patën të kahmotshme banorët e Lagjes “Kalabria” në Prishtinë të cilët po përballen me kundërmimin e ujërave të zeza. E për të cilin kolektor Komuna e Prishtinës e nisi ndërtimin e saj me 18 tetor të 2016-ës. Por as tash kur kanë kaluar më shumë se dy vite nuk është arritur që ky projekt milionësh të përfundojë.
Gjithçka ka ngecë tek shpronësimi i tokës private prej 3 hektarë, të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) e ka vlerësuar me 53 mijë euro arin. Në total i bie që për tre këta hektar tokë Komuna e Prishtinës të paguaj 15 milionë euro, gjë që është e papërballueshme për komunën, shkruan Ndërtimi.info
“Kalabria u zhvilli si u zhvillu. Ne një kolektor nuk po mundemi me përfundu për shkak se kalon në tre hektarë tokë private. E kemi quar një tokë për shpronësim ku kemi mbet me kolektor, 30 ari , e qojmë në Ministri me vlerësu e kanë vlerësu arin 53 mijë euro. unë nuk e di qysh vlerësohet një ari 53 mijë euro në një vend ku nuk ka të drejtë të ndërtimit. Pra e ka tokën në kolektor nuk mundet me u ndëtu. Kjo i bie që diku për tre hektarë tokë shpronësimi me kushtu për rreth 15 milionë euro për kolektorin që kushton diku 1 milion e gjysmë. Ne nuk kemi gjasa teorike me shpronësu 15 milionë euro një projekt dhe tash jemi tu mendu për zgjidhje kreative e ajo është ose do të shkojmë në këmbim të tokave e që edhe këtu kemi problem se nuk është që kemi shumë toka, ose do të shkojmë me kompensim apo me shpronësim me koeficient. Tjetër rrugë nuk ka”, potencoi Ahmeti gjatë një takimi që pati dje me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës që qëllim pati nënshkrimin e memorandum bashkëpunimit për “Bienalen e Arkitekturës 2018”.
Ndërkohë deri sa vazhdon të mos ketë zgjidhje për banorët, nga ajo që shihet aty, vendi po shërben si mbledhës i ujërave të zeza, ndërsa ura është gati e pakalueshme nga dëmtimet. E ky problem po ua vështirëson jetesën banorëve nëpër shtëpitë e tyre. Madje banorët në vazhdimësi e shprehin shqetësimin e tyre se gjendja e tillë mund të sjellë edhe probleme shëndetësore.
Po ashtu vërejtje për këtë kolektor pati edhe nga instituti ‘INPO’, i cili e monitoron punën e Komunës së Prishtinës.
Qëndrim Arifi, për medie kohë më parë kishte deklaruar se komuna ka dështuar në këtë projekt për shkak të keqplanifikimit. Sipas tij, nuk duhet të fillohet projekti kur nuk janë të zgjidhura çështjet pronësore.
Sipas monitoruesit të komunës, vlera e këtij projekti do të rritet, si pasojë e dëmeve që janë shkaktuar nga reshjet e shiut dhe rrëshqitja e dheut.
“Komuna do të pasojë vazhdimisht dëme të pariparueshme… do të jetë e pamundur të vazhdohet me këtë projekt për shkak se aty do të armotizohet vazhdimisht ajo pjesë. Kemi vërshime të vazhdueshme dhe kundërmim të erës të cilët qytetarët e kanë të vështirë dhe të jetojnë në atë pjesë. Ndërsa, kompania dhe komuna nuk bëjnë asnjë ditë pune në atë pjesë, do të thotë kanë pushuar punimet. Sa i përket asaj se a duhet të ritenderohet kjo pjesë, ndoshta do të kishte qenë më mirë të ritenderohet se të vazhdohet me këtë gjendje, sepse vazhdimisht aty ki dëmtime, një gjë është e saktë se vlera e këtij projekti edhe pse është planifiku 1 milionë e 700 mijë euro, do të rritet sepse punimet që janë kryer sado simbolike që janë ato janë armotizuar për shkak të reshjeve, vërshimeve të ndryshme”, kishte deklaruar Arifi.
Punët aty janë bërë nga kompanitë e kontraktuara, “Jehona Shpk”, “Beni Construction”, dhe “NNP “Arhiko.ing”.
Rregullimi i shtratit të lumit “Mat” ka nisur së ndërtuari në tetor të vitit 2016. Fillimisht punimet patën nisur në lagjen “Mati 1”, për të vazhduar më poshtë ku ka shtratin ky lum në lagjen “Kalabria”. Në këtë lagje punimet kanë nisur më 3 mars të vitit 2017. Afati i punimeve ka qenë për 180 ditë pune.
