Arkitekturë
Ahmeti në hapa të Veliajt, për të sjellë super-vepër arkitekture në Prishtinë

Një postim i bërë në një grup mjaft aktiv në rrjetin social Facebook i dedikuar arkitekturës “Arkitekturë pa cenzurë”, shfaq idenë e pavijonit “The Cloud” të vendosur në Tiranë, e cila mund të bëhet edhe në kryeqytetin tonë nëse kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vepron njëjtë si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Bëhet fjalë për një ekspozitë në Londër, pjesë e së cilës kishte qenë pavijoni “The Cloud”, tani i zhvendosur në Tiranë, dhe i inkurajuar për të bërë të njëjtën gjë, Ahmeti e ka konfirmuar me një koment të shkurtër “Ok”.
Galeritë e Serpentines janë dy galeritë e artit bashkëkohor në Kensington Garden dhe Hyde Park ne Londer. Ekspozitat e tyre, arkitektura dhe programet publike tërheqin deri në 1.2 milionë vizitorë në vit.
Për çdo verë, ata bëjnë përzgjedhjen e një arkitekti për ta projektuar një pavijon që vendoset në këtë galeri për tre muaj dhe që qëndron i hapur për publikun, në mënyrë që të eksplorohet dhe ta shijojnë. Disa prej emrave të njohur të arkitekturës që kanë qenë pjesë e kësaj galerie janë Zaha Hadid, Daniel Libeskind, Oscar Niemeyer, Alvaro Siza dhe Eduardo Souta de Moura, Rem Koolhaas, Frank Gehry, Peter Zumthor etj.
Në vitin 2013 vepra që ishte zgjedhur ishte nga Sou Fujimoto e quajtur ‘The Cloud’ e cila ka një sipërfaqe rreth 541 metra katrorë dhe lartësia maksimale shkon deri në 7 metra. Pavijoni është menduar si një hapësirë e lirë sociale dhe rrjedhimisht Fujimoto e ka përshkruar si “një terren transparent, një strukturë delikate, tre-dimensionale dhe çdo njësi është e përbërë nga shufra çeliku”.
Përderisa Galeria e Serpentines i ndërron veprat çdo vit, ato duhet që të zhvendosen diku, dhe natyrisht të paguajnë atë vend ku do të vendosen dhe mirëmbajtjen e tyre. Pavijoni ‘The Cloud’ ka koston 2 milion euro.
Ideja e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, ishte qe këtë pavijon ta zhvendosin në Tiranë falas, që ta mirëmbajnë si dhe ta reklamojnë veprën, por edhe ta shfrytëzojnë për aktivitete të ndryshme për publikun.
Erion Veliaj kishte kontaktuar Galerine Serperntine për këtë ofertë, dhe ata kanë pranuar që këtë pavijon me kosto 2milion euro, ta japin falas. Po për t’i përballuar kostot tjera (të transportit, të instalimit dhe të sigurimit) kane marrë donacion nga Fondacioni Luma ne Zvicër.
Për ta implementuar këtë ide në Prishtinë, nevojitet që së pari kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti të marrë iniciativë t’i kontaktoj Galerisë Serpentine, për ta ndjekur shembullin e Erion Veliajt. Pas kësaj nevojitet vendi apo lokacioni si dhe gjetja e sponzorëve për ta mundësuar transportin dhe instalimin.
Kështu Prishtinës do t’i shtohej një pikë tjetër referimi për vizitorët, ashtu siç ndodhi në Tiranë me “The Cloud”.
Një gjë e tillë mund të bëhet me një tjetër vepër e cila u prezantua në vitin 2016 në Galeri e quajtur “Unzipped Wall” nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels (BIG).
Projekti nga Bjarke Ingels Group (BIG), ishte një “mur i zhveshur” që u transformua nga vija e drejtë në hapësirë tre-dimensionale, duke krijuar një strukturë dramatike që ditën përdorej si një kafene dhe hapësirë për aktivitete të lira familjare.
“Për pavijonin gjarpërues, ne kemi tentuar të dizajnojmë një strukturë që mishëron aspekte të shumta që shpesh perceptohen si të kundërta: një strukturë që është formë e lirë por ende rigoroze; modulare por skulpturore; të dyja transparente dhe të errët” tha Ingels.
