Aktuale
Ahmeti: “Gërmia” është objekt i shëmtuar, ta largojmë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti objektin e ish-Shtëpisë së Mallrave “Gërmia” po e cilëson të shëmtuar, duke shtuar se duhet të largohet, transmeton Ndërtimi.info.
Ahmeti gjithashtu thekson se ky objekt në qendër të qytetit është i përsëritur, derisa ka folur për planin e Komunës së Prishtinës për Sallën Koncertale.
“Ka Plan Rregullativ për atë pjesë. Nuk e kemi ende vendimin për fondin 15.4 milionë euro, e kemi gatishmërinë e Komisionit Evropian. Jo çdo gjë që është e vjetër trashëgimi. ‘Gërmia’ është objekt i përsëritur. Përkundër kësaj, nuk ka qenë vendim ad-hoc. Nëse duam ta marrim atë grant duhet të vendosim tepër shpejt. Komisioni Evropian ka kërkuar që vendi të jetë i pastër për nga pronësia. Kemi themeluar një komision. Ne kemi një vlerësim me pikë që është bërë, ku me pikë del që ky lokacion del më i mirë. Po flasim për një Sallë Koncertale për ta zëvendësuar një objekt që tash është i shëmtuar. Fasada është dëmtuar”, tha ai në Klan Kosova.
Ahmeti potencoi se ky objekt është në pronësi të AKP-së, duke theksuar se Administrata Tatimore duhet të largohet nga aty.
Ai, tha se lokacioni duhet të jetë pa probleme pronësore.
Në lidhje me ndërtimin e Sallës Koncertale në atë lokacion, Ahmeti tregoi se çka mund të ruhet nga “Gërmia”.
“Kam kërkuar të kërkojmë dy gjëra për dizajn. Pjesa e fasadës të ruhet në ndërtesën e re dhe salla ta ketë eskalatorin brenda. Ne mund ta mbajmë balloren e ndërtesës, mbrapa ta ndërtojmë Sallën Koncertale. Është mirë që në njërën anë ta kemi Teatrin Kombëtare dhe në tjetrën Sallën Koncertale”, deklaroi ai.
Ahmeti, shtoi se propozimi për ndërtimin e sallës mbrapa Palatit të Rinisë nuk mund të përkrahet, me arsyen se ai pallat është i papërfudnuar sepse aty duhet të ndërtohet një pishinë olimpike. Ndërsa, te Fakulteti Teknik, sipas Ahmetit nuk mund të bëhet sepse nuk është lokacion qendror.
Ai, shtoi se do të bëhet një diskutim publik pse duhet të ruhet obejkti i “Gërmisë”.
