Aktuale
Ahmeti e Lekaj flasin për projektin e rrugës A

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga nënkryetari Selim Pacolli dhe Genc Bashota, drejtor për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm e Gëzim Mehmeti, drejtor për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave takuan sot Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj e Zëvendësministrin Rexhep Kadriu.
Gjatë takimit u diskutuan projektet konkrete të cilat i takojnë bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Pjesë e diskutimit ishin sfidat e projekteve të cilat duhet të zgjidhen këtë vit por edhe planifikimi i buxhetit të vitit të ardhshëm dhe gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të financuar disa projekte të rëndësishme për kryeqytetin siç është rruga A.
“Me ndërtimin e kësaj rruge do të bëhet lidhja e lagjes së Spitalit dhe lagjes Kalabria, do ndikohet në shkarkimin e trafikut në qytet por edhe do të mundësohet vazhdimi i rrugës B, me ç’rast do të përfundohet një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës rrugore në Prishtinë. U diskutuan edhe projektet si ndërtimin e rrugës nga rrethi i Fushë Kosovës deri në lagjen Arbëria, zgjerimin e rrugës së Veterrnikut, si dhe projekte të tjera të ngjashme”, thuhet në njoftim.
Ahmeti tha se takimet si ky janë me interes kur është në pyetje cilësia e jetës së qytetarëve, poashtu falënderoi Ministrin Lekaj për mbështetjen dhe theksoi se asnjëherë më parë nuk ka pasur përkrahje më të madhe nga qeveria se sa gjatë këtij mandati.
