Aktuale
Ahmeti autorizohet për kthimin e ndërmarrjes shoqërore “Tregjet” në aset komunal

Këshilltarët komunalë i kanë dhënë dritën e gjelbër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, që t’i nisë procedurat për kthimin e ndërmarrjes shoqërore “Tregjet” në aset komunal.
Aktualisht, ajo është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Aktualisht, AKP-ja punon në hapësirën që është pronë e komunës dhe planifikohet që ajo të largohet, për t’ia lëshuar vendin këtij tregu, raporton “038” i KTV-së.
Në seancën e së enjtes, opozita megjithëse votoi pro autorizimit, kishte disa paqartësi dhe kritika për këtë proces.
“Kryetari duhet me ditë a ka obligime financiare apo jo. Asnjë prej ekzekutivit nuk po është në gjendje të përgjigjet. Lokacioni a është krejt në rregull, unë e di që ka qira mbi qira dhe jam i bindur se do të ketë probleme”, është shprehur Halim Halimi, Shef i këshilltarëve komunalë nga LDK.
“Ai treg është si në mesjetë. Nëse vazhdon edhe kjo ndërmarrje, siç po menaxhohet, për ndërmarrjet tjera e dimë rezultatin”, ka thënë Egzon Azemi, këshilltar komunal nga LVV.
“Një vendim i tillë që na vjen është shumë i nevojshëm për t’u diskutuar. E kemi Pallatin e Rinisë. Një situatë e tillë mund të na përsëritet sepse s’po i kemi sqarimet e nevojshme dhe akterët. A ka obligime ndërmarrja, a ka punëtorë?”, sqaroi Leutrim Retkoceri, këshilltar komunal nga PDK.
Ndonëse kryetari vetë nuk ishte i pranishëm për t’i dhënë sqarimet, nga kabineti i tij kanë thënë se ende nuk e dinë nëse ndërmarrja ka borxhe.
“Ndërmarrja s’ka kurrfarë borxhi, zyrtarisht s’kemi ende një bilanc, unë nuk e kam parë”, tha Genc Bashota, drejtor për planifikim strategjikë në komunën e Prishtinës.
Me kthimin e ndërmarrjes, komunarët kanë për qëllim rregullimin e funksionimit të tregjeve në kryeqytet.
