Aktuale
Ahmeti akuzohet për mungesën e projekteve të mëdha në Prishtinë
Mosshfrytëzimi i gjitha mjeteve për investime kapitale e ka përcjellë edhe këtë vit komunën e Prishtinës. Dështimi në realizimin e ndonjë projekti madhor gjatë vitit që lamë pas për opozitën në kryeqytet dhe monitoruesit e komunës, tregon qeverisjen e dobët që është bërë nga kryetari Shpend Ahmeti gjatë vitit 2019.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani thotë për KosovaPress, se në Prishtinë gjatë këtij viti nuk është bërë asnjë progres dhe se edhe 2019, kryetarin Ahmeti e ka përcjellë dembelia në punë.
“Si çdo vit edhe këtë vit kryetarin Shpend Ahmeti e karakterizon dembelia dhe mospuna gjatë tërë vitin. Këtu më së miri e shpjegojnë gjitha raportet zyrtare të cilat janë nga komuna e Prishtinës. Në bazë të atyre raporteve del në njërën prej komunave më të dobëta të Kosovës duke realizuar më së paku buxhetin për investime kapitale. Fatkeqësisht fundi i vitit 2019, Prishtinën e gjen në gjendjen e njëjtë të vitit të kaluar. Nuk ka asnjë investim kapital që mund të përmendët ose që do t’i jepte ndonjë pamje Prishtinës. Nuk ka progres dhe gjitha premtimet që janë bërë në vitin 2017, kanë mbetur vetëm premtime dhe jo realizime”, thotë ai.
Kritikë karshi kryetarin Ahmeti është edhe asamblisti i LDK-së në komunën e Prishtinës, Agim Gashi, i cili rendit gjitha projektet ku kryetari Ahmeti është dashur të investojë.
“Prishtinës i mungojnë projekte, shumë të rëndësishme dhe shumë të mëdha. Siç është diku në shtatë shkolla, objekte shkollore, kolektori në pjesën e Matit 1 edhe 2, e deri në Zllatar. Pastaj kanalizimet, kolektori prapa Pallatit të Drejtësisë dhe shumë punë të tjera që janë të domosdoshme dhe të nevojshme për qytetarët e Prishtinës…karakteristika tjetër që e ka përcjellë këtë vit është mosgatishmëria e qeverisë komunale dhe kryetarit për mos bashkëpunim cilësor me Kuvendin”, thotë ai.
Ndërsa, hulumtuesi në organizatën INPO që e monitoron komunën e Prishtinës, Qëndrim Arifi tha se ky vit për qeverisjen komunale të Prishtinës nuk ka qenë asgjë ndryshe në krahasim me vitet paraprake, pasi ka pasur shumë ngecje.
“Ky vit për qeverisjen komunale të Prishtinës nuk ka qenë asgjë ndryshe në krahasim me vitet paraprake. Qoftë në aspektin e punës në gjitha aspektet. Nuk kemi ndonjë punë që na bënë të dallojmë këtë vit dhe të themi se ka përparime të theksuara në aspektin e qeverisjes lokale”, thotë ai.
Për gjitha këto kritika, por edhe sukseset që sipas tij, e kanë përcjellë këtë vit, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka pranuar të flasë.