Connect with us

Aktuale

Agjendat e Kuvendit lënë pezull zgjedhjen e Guvernatorit të ri në BQK

Published

on

Mosvotimi i Projektligjit për shenjimin e kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës po e mban peng edhe pjesën tjetër të agjendës së punës së institucionit më të lartë në vend.

Kështu janë edhe shumë ligje të cilat presin të votohen. Po ashtu, kjo po vonon edhe plotësimin e pozitave vakante në institucionet shtetërore, për të cilat kërkohet vota e deputetëve. Kështu disa herë me radhë është shtyrë edhe përzgjedhja e një kandidati për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Përzgjedhja e guvernatorit të BQK-së ishte në mesin e shumë pikave në seancën e rregullt të fillimjavës, por që u shty për më vonë.

Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, ka përzgjedhur katër kandidatë të cilët ia ka dërguar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, për zgjedhjen e Guvernatorit.

Në njoftimin nga Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se paneli, pas vlerësimit të integritetit, përgatitjes profesionale, shkathtësive teknike, njohurive të sistemit financiar si dhe njohurive për politika mikro dhe makro ekonomike si dhe pas vlerësimit të përformancës së treguar gjatë intervistës, ka bërë dhe ka dërguar listën përfundimtare Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në listën e kandidatëve janë: Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi dhe Safet Merovci.

Vonesa e pajustifikueshme  

Besnik Kada, zëdhënës në BQK, ka thënë për gazetën Insajderi se me vendimin e Bordit të Bankës Qendrore, është caktuar ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Fehmi Mehmeti, i cili sipas këtij vendimi do të ushtroj detyrën deri në plotësimin e postit të Guvernatorit.

Kada nuk ka dashur të komentojë nëse Kuvendi i Kosovës është vonuar në zgjedhjen e guvernatorit të ri, por shprehet se Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për guvernator, e ka përcjellë listën e kandidatëve për guvernator në Kuvend.

Megjithatë, sipas tij nuk do të ketë boshllëk në drejtimin e këtij institucioni jetik për financat e shtetit.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të premten në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për javën e ardhshme.

Kështu, Kryesia vendosi që vazhdimi i seancës plenare, të mbajtur më 8, 9 shkurt dhe 1 mars, me pikat e papërfunduara, të mbahet të martën, më 13 mars, në orën 10:00. Ndërkaq, të mërkurën, më 14 mars, po në orën 10:00, vazhdon seanca e datës 2 mars dhe ajo e datës 8 mars.

Përzgjedhja e një kandidati për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është pika 17 e rendit të ditës së seancës e të mërkurës. Ndryshe herën e kaluar, seanca ishte shtyrë për mungesë kuorumi.

Një ditë më pas, më 15 mars, Kuvendi mblidhet në një seancë të re, në të cilën do të shqyrtojë projektligje dhe çështje të tjera nga përgjegjësitë e tij kushtetuese.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nga prilli vitit 2018 duhet të bëhet me guvernator të ri, pasi mandati i ushtruesit të detyrës së Guvernatorit Fehmi Mehmeti përfundon më 27 mars.

Ndryshe, Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se komisioni me kohë i ka proceduar emrat në Kuvend, kurse tani i mbetet kryesisë që të vendosë se kur do të votohet për guvernatorin e ri.

Ndikimet politike

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se në vendin tonë janë duke u vonuar shumë procese që janë të rëndësishme për aspektin ekonomik.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër që agjenda politike është vërtetë duke bërë të veten, që përveçse nuk mund të zgjidhë probelmet e natyrës politike, është duke i ngulfatur proceset ekonomike”, ka thënë Gërxhaliu për Insajderin, duke shtuar se bordet e institucioneve kyqe kanë mbetur të pakompletuara.

“Vetë fakti që shumë konkurse janë të hapura dhe të papërfunduara dhe vetë fakti se me muaj të tërë është duke u diskutuar dhe debatuar për zgjedhjen e  guvernatorit në BQK, dëshmon edhe një herë situatën, e cila është shumë më pak është në funksion të zhvillimit ekonomik sesa që ishte dashur të jetë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka përmendur se kanë mbetur pa borde drejtuese, ndërmarrjeve dhe instiucioneve të rëndësisë strategjike si moskompletimi i Bordit të Trepçës, moskompletimimi i bordit të Autoritetit Rregullator të Energjisë Elektrike dhe rasti i zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendore të Kosovës.

“Në hierarkinë ose në organogramin e funksioniomit të shtetit, Banka Qendore dhe guvernatori e kanë një rëndësi të veçantë. Për vetë faktin se me muaj të tërë është duke funksionuar me ushtrues detyre, mendoj se e dëmton Kosovën si në aspektin intern, po ashtu edhe në aspektin ekstern”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se është koha kur duhet të analizohet me profesionalziëm dhe përkushtim çdo kandidat i paraqitur për guvernator dhe sa më shpejt që është e munduar të zgjidhet guvenrnatori, sepe sipas tij roli i guvernatorit në funksionimin e shtetit dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik është i pakontesteushëm.

“Kosova nuk e ka luksin e eksperimintimit dhe pritjes pa fund edhe në këto procese. Besoj që kandidatët të cilët janë të paraqitur duhet t’iu nënshtrohen shumë filtrave ku vihet në pyetje profesionalizmi, pastërtia në të kaluarën dhe përfudnimisht të bëhet depolitizimi i këtyre posteve. Nëse diçka e ka ngulfatur dhe ngulfat Kosovën në aspektin ekonomik, është politizimi tej mase i bordeve të ndërmarrjeve publike”, ka thënë Gërxhaliu.

Katër kandidatë në garë

Në konkursin e hapur për Guvernator të BQK-së kishin konkurruar 26 kandidatë, ndërsa prej tyre vetëm 15 ishin ftuar për intervistim.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit Fehmi Mehmeti ka mandatin e ish-guvernatorit Bedri Hamza, deri më 27 mars 2018. Parlamenti është organi që do të zgjedhë me votim të fshehtë guvernatorin e ri për një mandat 5 vjeçar.

Në garë për guvernator të BQK-së ishin 15 veta, në mesin e tyre edhe ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Arben Mustafa, Safet Merovci, Mustafë Hasani, Besnik Krasniqi, Flamur Keqa, Ilir Aliu, Driton Qehaja, Besnik Bislimi, Avni Jashari, Bashkim Isufi, Naser Rusinofci dhe Kujtim Dobruna.

Gara për guvernator është hapur pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kjo pozitë, pasi u emërua Ministër i Financave rreth tre muaj më parë.

Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, Guvernatori, si Kryeshef Ekzekutiv i këtij institucioni, është pjesë e Bordit dhe Kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

Në pikën 1 të këtij neni thuhet se Guvernatori dhe anëtarët joekzekutiv të Bordit të BQK-së emërohen për një mandat prej pesë vitesh, ndërsa pika dy e këtij neni thotë se kurdo që paraqitet boshllëk do të konstituohet një panel përzgjedhës që ka kompetenca për shqyrtimin e të gjithë kandidatëve i përbërë nga anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së dhe Guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim.

Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi dhe Safet Merovci janë katër emrat që priten të votohen për të parin e BQK-së.

Fehmi Mehmeti më 11 shtator 2017 është emëruar nga Bordi i BQK-së për Ushtrues Detyre të Guvernatorit deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri, ndërsa në vitin 2013 Mehmeti është emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare në BQK.

Mehmeti ka qenë pjesë menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez, ‘Limak & Airport de Lyon MAS’, në periudhën 2011-2013. Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë Drejtor Bordi në Ndërmarrjen Publike ‘Uniteti’ në Mitrovicë. Për gati dy vite ka qenë Menaxher i Kontrollit për tatimpaguesit në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Shkëndije Himaj ka qenë pjesë e BQK-së që nga viti 2004, në të cilën ka ushtruar detyra të ndryshme. Ka qenë zyrtare e lartë për Mbikëqyrje Financiare në BQK, ndërsa ka qenë edhe Këshilltare e Lartë e Bordit Ekzekutiv në BQK. Aktualisht është Koordinatore për Funksione të Përgjithshme në BQK. Gjithashtu është kryesuese e Bordit Menaxhues në Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës si dhe Asistente në Universiteti e Lubjanës, Fakultetit Ekonomik.

Safet Merovci është profesor në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit ‘Hasan Prishtina’. Në të kaluarën ka qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë së Përkohshme në pozitën zëvendësministër i Financave gjatë periudhës 1999-2000. Në periudhën 2002-2004, sipas biografisë se publikuar në uebfaqen e Fakultetit Ekonomik, ai ka qenë këshilltar i Kryeministrit.

Besnik Bislimi ka doktoruar në financat publike në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë. Që nga viti 2004 është ligjërues në Universitetin Amerikan të Kosovës, po ashtu mban pozitën e Udhëheqësit të njësisë për Ekonomiks dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti. Ai ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending