Aktuale
Agjencia Qendrore e Prokurimit rrezikon të humbë 2.6 milionë euro

Edhe pse Agjencia Qendrore e Prokurimit është themeluar për të kursyer paratë e buxhetit të Kosovës përmes blerjeve me shumicë, raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit tregon se ekziston rreziku që furnitorët të paguhen pa dorëzuar mallra. Gjithashtu në disa raste çmimet e AQP-së ishin më të larta se çmimet individuale të institucioneve publik.
Agjencia Qendrore e Prokurimit ka disa kontrata përfshirë kontratën për letër, goma dhe material zyrtar. Bazuar në informatat që merr nga institucionet publike (Ministritë, Komunat, etj.), AQP kontrakton sasinë dhe çmimin e kontratës.
Raporti i performancës tregon se AQP nuk kishte pasur informata të mjaftueshme për të marrë vendim lidhur me sasinë e nevojshme të kontratës. Në fakt vendimi është marrë duke u bazuar në informatat e ofruara nga 80 për qind e këtyre institucioneve, pjesa tjetër ishte vendosur me hamendje.
Raporti ka gjetur raste të mallrave që kushtojnë më shtrenjtë kur blihen nga AQP se sa nga institucionet në mënyrë individuale. Raporti tregon se në shumicën e rasteve AQP-ja nuk i kishte analizuar kontratat individuale të institucioneve për të parë çmimet me të cilat ato furnizoheshin. Prandaj, për shembull në rastin e letrës, edhe Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës edhe Dogana kishin paguar çmime më të ulëta para se të përfshiheshin në kontratë të centralizuar ndërsa në rastin e karburanteve së paku katër entitete kishin çmime më të ulëta se AQP-ja.
Meqë kontratat nuk ishin monitoruar si duhet dhe nuk kishte pasur masa parandaluese, furnitorët mund të kërkojnë kompensim prej 2.6 milion eurosh për mallrat që janë kontraktuar por nuk janë porositur. Raportimi i rrallë dhe analizimi edhe më i rrallë i këtyre raporteve ka rezultuar me mungesë të informatave lidhur me progresin e kontratave dhe ka çuar në mungesë të masave korrigjuese.
Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani tha se “është e papranueshme humbja e parave përmes prokurimit të centralizuar. AQP duhet urgjent të ndërmerr masa korrigjuese”.
Rëndësia e kësaj çështjeje ka bërë që Auditori i Përgjithshëm të vendosë të kryej një auditim të dytë të këtyre kontratave kur ato të implementohen.
Auditimi i ka vlerësuar 8 nga 15 kontratat apo 56% të vlerës së kontraktuar nga AQP gjatë viteve 2015 dhe 2016.
