Aktuale
Agjencia e Komplekseve Memoriale shpenzon e raporton gabimisht rreth 200 mijë euro

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM), po ka dobësi në buxhetim dhe keq-klasifikim të shpenzimeve. Kjo agjenci ka shpenzuar dhe raportuar gabimisht rreth 200 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info.
Shpenzimet për mirëmbajtjen e komplekseve memoriale në vlerë 191 mijë e 377 euro janë shpenzuar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale.
Shpenzimet për mirëmbajtjen e komplekseve Memoriale, në vlerë 174,710€, të cilat për nga natyra i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime, janë buxhetuar dhe shpenzuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale. Ndërsa, shpenzimet lidhur me kontratën “Hartimi i elaboratit të shpronësimit për K.M. Likoshan, Vrellë, Kleçkë dhe Divjakë’’ në vlerë 16,667€, janë shpenzuar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale.
Projektet e AMKM-së nuk janë hartuar në mënyrën më të mirë dhe për këtë do duhet të kryhen punë shtesë.
“Sfidat e projektimeve me mangësi të theksuara po rezultojnë me punë shtesë për korigjimin e gabimeve të projekteve. Po ashtu, ende nuk ishte funksionalizuar sistemi e-Pasuria”, ka identifikuara Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2017.
Gjithashtu, aranzhimet e qeverisjes që kanë të bëjnë me zbatimin e rekomandimeve, azhurnimin e regjistrit të rreziqeve dhe përgatitjen e Planit Strategjik ende nuk janë në nivelin e kërkuar.
AZK-ja rekomandon që drejtori i përgjithshëm i agjencisë duhet dhe të ndërmerr veprimet e duhura që të gjitha shpenzimet të planifikohen drejt në kategoritë përkatëse , në mënyrë që t’i shmangen keq deklarimeve të shpenzimeve në pasqyrën financiare vjetore./Ndërtimi.info/
