Aktuale
Afro 64 milionë euro për rikonstruksionin e Kalasë së Gjirokastrës
Konsorciumi shqiptaro-spanjoll V Proskene Conservation & Cultural Heritage & Cultural Heritage without Borders ka fituar tenderin për rikontruksionin e Kalasë së Gjirokastrës.
Sipas detajeve të shpalljes së tenderit nga autoriteti kontraktual FSHZH, në garë morën pjesë 9 kompani, nga ku 3 përmbushnin kushtet e ofertës dhe ku u shpall konsorciumi shqiptaro-spanjoll fitues. Puna do të konsistojë në: Identifikimin, Hartimin e masave me përparësi për të adresuar shqetësimet urgjente të sigurisë dhe parandalimin e humbjes së strukturave të trashëgimisë në Kalanë e Gjirokastrës, por nuk jepen detaje për kohën e zhvillimit. Rikostruksioni i Kalasë së Gjirokastrës është pjesë e investimeve që po realizohen në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar Urban e Turistik në Shqipëri” i financuar prej Ëorld Bank Group.
Projekti synon të luajë një rol kyç në orientimin dhe demostrimin e dobisë që kjo qasje inovative e integruar ka për zhvillimin rajonal dhe mundësitë që krijon për adresimin e një sërë objektivash që janë edhe pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Territorit. Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik shenjon një hap të rëndësishëm në dobi të qytetarëve, që kombinon vëmendjen ndaj realiteteve urbane në vend me përpjekjet për të rritur kontributin e sektorit të turizmit në ekonomi.
I financuar prej Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare, ky projekt që arrin një kosto prej 63.8 milion euro, do të synojë:
i. përmirësimin e infrastrukturës urbane
ii. rritjen e vlerës së aseteve turistike
iii. forcimin e kapaciteteve institucionale për mbështetjen e zhvillimeve
ekonomiko-sociale që lidhen me turizmin
Projekti do të përqendrojë aktivitetin në qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit e Sarandës, por pjesë e aktivitetit do të jenë edhe destinacione të tjera turistike që plotësojnë këtë itinerar kaq të larmishëm të Shqipërisë jugore. Projekti klasifikohet si i kategorisë B në kategorizimet e Bankës Botërore, ç’ka nënkupton se ndërhyrjet e ndërmarra në kuadër të tij nuk duhet të kenë ndikime të pakthyeshme sociale apo mjedisore. Punimet do të tentojnë të mbivendosen në gjurmët ekzistuese të infrastrukturës./Burimi: Monitor