Aktuale
Aeroporti i ri mahnitës i Stambollit u ndërtua në “Fshatin e Shqiptarëve”

Aeroporti i ri i Stambollit do ta hapet sot në Ditën e Republikës së Turqisë. I ndërtuar nga një konsocium prej 5 kontraktorësh, me një vlerë 29 miliardë dollarë ky aeroport ka qëllimin që të kthehet në një prej aeroporteve më të rëndësishëm të botës. Zona ku po hapet aeroporti i ri i Stambollit quhet “Arnavutkoy”, që në shqip do të thotë “Fshati i shqiptarëve”.
Ky investim ka një sipërfaqe 76 milionë metra katrorë ndërsa faza e parë e aeroportit do t’u shërbejë 90 milionë pasagjerëve. Në total, kapaciteti i tij pritet të jetë mbi 200 milionë pasagjerë, që është edhe dyfishi i trafikut të aeroportit të Atlantas, që ka aktualisht trafikun më të madh të pasagjerëve në botë.
Pjesa tjetër e projektit parashikohet të përfundohet terësisht deri në vitin 2023. Ky aeroport do të ketë edhe një nga komplekset më të mëdha në botë “duty-free shop”.
Fluturimi inaugurues pritet të bëhet me 31 dhjetor ndërsa në vijim pritshmëria është që të ketë një aktivitet ditor prej 2 mijë avionësh.
Në mes tjerësh edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot udhëton për në Stamboll, ku do të marrë pjesë në hapjen solemne të aeroportit të ri të Stambollit.
Pjesë e ceremonisë së hapjes së këtij aeroporti do të jenë krerë shtetesh dhe kryediplomatë nga vende të ndryshme të botës. Nga Kosova do të jetë edhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, kështu ka thënë Ministria e Punëve të Jashme.
