Aktuale
Ademi e Gashi vizituan fushën ku do të ndërtohet Kompleksi Nacional i Futbollit në Obiliq

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi bashkë i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi janë takuar sot me kryetarin e Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi.
Ata vizituan fushën ku po ndërtohet Kompleksi Nacional i Futbollit, projekt kapital ky që po e financon UEFA.
Ministri Gashi ka treguar se ministria që ai drejton bashkë me komunën e Obiliqit kanë qenë të përkushtuar që në afat rekord të sigurojnë hapësirën dhe parcelën për këtë investim.
“Është një projekt i përbashkët trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Obiliqit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë Federata kurse financimin do ta bëjë UEFA. Ministria dhe kryetari kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që në afat rekord të sigurojmë edhe hapësirën edhe parcelën dhe në të njëjtën kohë të mundësojmë këtë investim që do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në Komunën e Obiliqit në infrastrukturën sportive dhe natyrisht ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës”, tha Gashi.
Ai po ashtu falënderoi dhe përgëzoi kryetarin Gashi për përkushtimin e tij për ndarjen e hapësirave të lokacionit për ndërtimin e tri fushave ndihmëse.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi foli edhe rreth stadiumit dhe kampit nacional duke falënderuar ministrin për angazhimin si dhe FFK-në që ka zgjedhur pikërisht Obiliqin për të ndërtuar këtë kamp.
Ndërkaq, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me këtë rast theksoi se në të ardhmen e afërt infrastruktura e futbollit do të ketë krejtësisht pamje tjetër.
“Falënderimi i takon kryetarit të Komunës dhe asamblistëve të Obiliqit të cilët kanë vendos të japin këtë pronë në shërbim të kampit nacional të futbollit që do të bëhet në koordinim me UEFA-n dhe FIFA-n”. Presidenti Ademi po ashtu falënderoi edhe ministrin Gashi për angazhimin e tij në krijimin e kushteve për të investuar në infrastrukturën sportive në vend që gjithnjë e më shumë po përmirësohet dhe në një të ardhme të afërt infrastruktura në futboll do të ketë krejtësisht pamje tjetër dhe çështja që dikur ishte thembër e Akilit dhe pikë neuralgjike e futbollit të Kosovës plotësisht do të zhduket”, tha Ademi.
